Berisha: Rama i ka dosjet deri në tavan, prandaj nuk do që të largohet nga pushteti

Politikë | 4 vite më parë

Kavaja ka qenë ndalesa e rradhës e kryetarit të „Rithemelimit“ të PD-së, Sali Berisha, si pjesë e turit të takimeve që ai ka nisur prej ditësh, për të paraqitur kandidatët për kryebashkiakë të dalë nga “Primaret”. Në këtë qytet ai prezantoi, Fisnik Qosen, si kandidat për kryebashkiak në zgjedhjet e 14 majit. 

Edhe në këtë takim ai ka sulmuar kryeministrin Edi Rama, I cili, sipas tij, “i ka dosjet deri në tavan” dhe se kjo është arsyeja që ai nuk do që të largohet nga pushteti.

Sipas tij, Rama ka kryer genocid ndaj shqiptarëve në kuptimin e nenit 3 të konventës së organizatës së OKB-së, i cili thotë se, krijimi i kushteve të llogarituara për të larguar njerëzit nga vendi ku banojnë, është akt genocidal.

“A nuk është krijimi i kushteve për të larguar qytetarët shqiptarë, kur ti autorizon veten për të shembur ndërtesat vetëm nëse janë mbi 50 vjeçare në një kohë kur të tilla janë mbi 300 mijë apartamente? Ky akt synon të grabisë tokat dhe pronat e shqiptarëve për të investuar mafiozët. Një kryeministër nuk firmos kurrë në atë mënyrë. Një kryeministër firmos me ligjin para, mendon 7 herë para se të firmosë një herë”- deklaroi Berisha.

Berisha, ndër të tjera, tha se demokratët kanë treguar guximin e tyre dhe nuk janë ndalur para regjimit të kryeministrit Rama. 

“Në një periudhë 2-vjeçare u përdorën të gjitha mjetet për mposhtjen tonë, jo se në jemi mbinjerëzor, por në njësoj si Kavaja në ‘92 besojmë në disa vlera që i kemi të shenjta, dhe jemi të gatshëm të sakrifikojmë,. Ne u ngritëm dhe nuk u mposhtëm. Ne gabimet i pranojmë dhe nuk i përsërisim. Ne bëmë gabim 4 vite më parë, shumë të madh, por unë ju them se këto javë janë bërë përpjekjet më antidemokratike, më hakmarrëse që ne të mos marrim pjesë në zgjedhje, por ne do të marrim pjesë në zgjedhje dhe do të fitojmë. “- u shpreh Berisha. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme