Taulant Balla nxjerr në Kuvend audion për 21 janarin: Prokuroria ta marrë urgjentisht si provë

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se audio e re e dalë mbi ngjarjen e 21 janarit 2011, duhet të shërbejnë si provë për organin e akuzës dhe prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet.

“U publikua për herë të parë një audio-regjistrim autentik i cili zbardh më në fund gjithë kronologjinë e urdhër-dhënies, masakrën shtetërore të 21 janarit.  Nuk e kam bërë kurrë diçka që historikisht e bëni ju por do ta bëj unë sot. Do të vendos për publikun gjithë këtë material audio që është publikuar i gjithë mbrëmë nga një gazetar inevstigativ në një televizion kombëtar. Uroj dhe shpresoj dhe natyrshëm i bëj thirrje prokurorisë që më në fund këtë çështje ta hetojë”, u shpreh Balla

Biseda mes Ndrea Prendit dhe ushtarit të Gardës (2011) e lexuar nga Taulant Balla në Kuvend:

“Dashamir…!”, thotë komandanti i gardës. “Gati për zjarr ushtarak”, kundër civilëve të paarmatosur.

Dashamiri: Po iu kuptova, gati të gjithë luanët.

Ndrea Prendi: Nëse do të hyjnë brenda, do të hapet zjarr luftarak për t’i asgjësuar.

Dashamiri: Iu kuptova!

Ndrea Prendi: Mos qëlloni me ushtarak akoma, në ajër, ajër!

Ndrea Prendi: Dashamir ku je?

Dashamiri: Këtu jam këtu…

Ndrea Prendi: Bëju thirrje me altoparlant, u kalua kufiri do hapet zjarr luftarak.

Dashamiri: Largohuni nga hyrja!

Ndrea Prendi: Të mbahen armët në dorë, gati për zjarr. Pastaj kur t’iu them unë, në trup.

Balla shtoi se Garda e Republikës në vitin 2011 qëlloi me zjarr luftarak mbi trupat e protestuesve të opozitës.

“Nëse secili prej jush këtu e ka zemrën dhe mendjen në vendin e duhur si ka mundësi që komandanti i Gardës së Republikës sapo del nga zyra e Sali Berishës jep urdhër për të asgjësuar popullin e opozitës që po protestonte në shesh, për të qëlluar në trupat e popullit opozitar dhe pastaj vjen momenti kur Ndrea Prendi thotë; Ky është urdhri dhe në këtë moment qëllohet nga pistoleta e Ndrea Prendit dhe nga automatiku i njërit prej oficerëve të gardës së Republikës, me çfarë? Me zjarr luftarak. Zjarri luftarak nuk ka lidhje me protestën. Kjo është një provë që prokuroria e Tiranës ta marrë urgjentisht”, theksoi Balla.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme