Seanca maratonë, Rama në Kuvend për McGonigal: Mocioni absurd. Opozita kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor

Politikë | 4 vite më parë

Opozita prezantoi sot sallën e parlamentit argumentet e saj për zhvillimin e interpelancës, seancës me pyetje përgjigje dhe mocionit me debat për kryeministrin Rama lidhur me çështjen McGonigal.

Sipas Enkelejd Alibeajt, Luçiano Boçit dhe Sali Berishës, Ramës i duhet hequr imuniteti dhe duhet larguar si kryeministër pas këtij skandali.

Në përgjigjen e tij kryeministri Edi Rama tha se procesi që po zhvillohet në SHBA nuk ka asnjë lidhje as me të dhe as me Shqipërinë ndërsa mocionin e quajti absurd.

Kur ka folur për opozitën Rama ka përdorur tone të larta ironie edhe për një fitore të kundërshtarëve në zgjedhjet e 14 majit.

Keni hyrë në vitin e dhjetë të rrugës ku me keni rrëzuar disa herë çdo vit. Me keni tërhequr zvarrë çdo dy vjet, më keni detyruar të arratisem një vit po dhe një vit jo. Keni mbledhur 100 mijë deri 200 mijë njerëz në bulevard 120 herë duke më detyruar të fshihem në Malin e Dajtit 60 herë dhe 60 herë të tjera të mos di as ku të fshihem. E që t’i themi të gjitha siç janë, më keni mundur në të gjitha zgjedhjet e 9 viteve të fundit. Dhe jam i vetëdijshëm që ky vit i dhjete do të jetë viti i fitores suaj më të madhe elektorale të kësaj dekade, jo vetëm më historike, por dhe më heroike. Më 14 maj ku përveç Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit që siç na keni informuar, i keni në xhep, do të merrni dhe Vlorën dhe Uashingtonin. Prandaj unë ju hap rrugë përfundimisht dhe dua të them me zë të lartë sot për të gjithë shqiptarët atë që prej kohesh më gërryen brenda meje: ndjehem fajtor, madje shumë fajtor që s’kam bërë dot atë që duhet kundër mjerimit të thellë të politikës në këtë arenën tonë, ku gëlon shejtan budallallëku, hajdutllëku, maskarallëku, pisllëku dhe gomarllëku. ”
tha Rama.

Duke marrë në analizë të 14 herët kur emri i tij përmendet në aktakuzë Rama tha se takimet mes tij dhe McGonigal kanë ndodhur por asnjëra nuk përbën shkelje. Më gjatë ai u ndal në financimin me para ruse të PD-së ku tha se për këtë flitet në raportin e CIA-s.

Pasi përfundoi fjalën Rama u largua nga salla e parlamentit ndërsa diskutimet kanë vijuar.

Kreu i grupit parlamentar të PS Taulant Balla foli për një audio përgjim lidhur me 21 janarin duke i bërë thirrje prokurorisë që të nisë hetimet.

Por Berisha ka vijuar me akuzat se në hetim nga drejtësia nuk është vetëm Rama por të gjithë ministrat e qeverisë.

Ndërsa nga jashtë dyerve të parlamentit ai ka folur edhe për protestën e datës 3 mars.

Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien e Parlamentit ka ironizuar opozitën e përçarë për retorikën e tyre për akuzat ndaj Edi Ramës.

Kuvendi gjatë punimeve maratonë ka mbajtur një minutë heshtje në nder të tre grave që u vranë ditën e djeshme nga 40 vjeçari Dan Hutra si dhe një minutë heshtje për viktimat nga përplasja e dy trenave në Greqi.

Seanca

Seanca nisi rreth orës 10:00 dhe vijoi. Për gati 40 minuta kryeministri Edi Rama dha shpjegime nga foltorja e kuvendit duke pranuar miqësinë me ish zyrtarin e FBI-së, por mohon që të ketë pasur dijeni se opozita ishte financuar nga paratë ruse dhe të ketë ndërhyrë për të kërkuar fillimin e hetimeve ndaj kundërshtarit politik. Nga ana tjetër opozita kërkon ngritjen e një komisioni hetimor. Pas fjalës Rama u largua nga seanca e cila pritet të zgjasë 24 orë. Secili nga deputetët ka në dispozicion 10 minuta për të folur. Prezenca e kryeministrit Edi Rama ishte kërkuar nga opozita prej më shumë se 2 seancash parlamentare.

ZHVILLIMET MINUTE PAS MINUTE DERI NE 13:10 

Ora 13:10 Çështja “McGonigal”, Belinda Balluku: Pasaportën diplomatike, Dorian Duçkës nuk ia ka dhënë Edi Rama

 Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku duke folur për çështjen “McGonigal”, ka deklaruar në Kuvend se pasaportën diplomatike, Dorian Duçkës nuk ia ka dhënë kryeministri Edi Rama, por e ka marrë në cilësinë e ish-zëvendësministrit të Energjisë në vitin 2015.

 ‘Pasaportën diplomatikën Dorian Duçkës meqenëse u interesova sot, nuk ia ka dhënë Edi Rama as për të sjellë Gon Nezën, që e keni ju më shok, dhe as për të sjellë Mcgonigalin. Kështu që kjo është një gjë që duhet ta sqarojmë. E ka marrë për shkak të detyrës dhe siç e mbajnë sot ministrat tuaj ashtu e ka edhe Dorian Duçka.

Ora 12:42 Berisha “non grata” nga SHBA dhe Britania, Spiropali: Nesër edhe gjetkë

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka paralajmëruar nga foltorja e Kuvendit një tjetër “non grata” për Kreun e PD të Rithemelimit Sali Berisha.

Teksa iu kundërpërgjigj akuzave të opozitës kundrejt Kryeministrit Edi Rama, Spiropali deklaroi se një prej akuzatorëve kryesorë të kreut të qeverisë është i shpallur “non grata” nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar, e me gjasë, siç theksoi ajo, “nesër edhe gjetkë”.

Ora 12:10 Taulant Balla nxjerr në Kuvend audion për 21 janarin: Prokuroria ta marrë urgjentisht si provë

Ora 11:45  Rama largohet nga seanca plenare

Kryeministri Edi Rama pasi i është përgjigjur akuzave dhe pyetjeve të opozitës për çështjen “McGonigal” është larguar nga seanca plenare, duke ua lënë diskutimin deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës. 

Ora 11: 35 Rama: E vërteta ime për çështjen “McGonigal: Po të kisha provën për opozitën, do t’ia jepja

Kryeministri Edi Rama iu është përgjigjur akuzave të opozitës për çështjen McGonigal në mocionin e thirrur prej tyre në Kuvend. Rama e ka pranuar miqësinë me ish-zyrtarin e FBI-së, por mohon që të ketë pasur dijeni se opozita ishte financuar nga paratë ruse dhe të ketë ndërhyrë për të kërkuar fillimin e hetimeve ndaj kundërshtarit politik.

”E kam thënë dhe e përsëris po të kisha pasur çfarëdo informacioni më shumë se ato që dolën në media për faktin e tmerrshëm që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë do t’ia kisha përcjellë kujtdo që të mundja pa asnjë diskutim, organizatave partnere të ndjeshme për këtë çështje, edhe FBI-së pa tjetër. Problem për vendim do të ishte e kundërta sikur unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birrat e këndimin e himnit tek çadrat poshtë qeverisë dhe të mos e tregoja”, u shpreh Rama. 

Ora 11:30  Rama: Nëse do kisha informacion për paratë ruse do e denoncoja tek FBI

Rama pranon miqësinë me ish zyrtarin e FBI-së, por mohon që të ketë pasur dijeni se opozita ishte financuar nga paratë ruse dhe të ketë ndërhyrë për të kërkuar fillimin e hetimeve ndaj kundërshtarit politik.

”E kam thënë dhe e përsëris po të kisha pasur çfarëdo informacioni më shumë se ato që dolën në media për faktin e tmerrshmë që rusët financonin opozitën më të madhe të këtij vendi për të rrëzuar qeverinë do tia kisha përcjellë kujtdo që të mundja pa asnjë diskutim, organizatave partnere të ndjeshme për këtë çështje, edhe FBI-së pa tjetër. Problem për vendim do të ishte e kundërta sikur unë të kisha informacion që rusët hidhnin para për birrat e këndimin e himnit tek çadrat poshtë qeverisë dhe të mos e tregoja”

Ora 11:20  Rama i drejtohet opozitës: Nderin e përballjes me mua, nuk do ta keni më

Kryeministri Edi Rama ka folur me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit pas akuzave të opozitës për lidhjen e tij me ish-agjentin e FBI Charles McGonigal. Kreu i qeverisë i bëri të qartë opozitës se nuk do t’u kundërpërgjigjet më asnjë akuze nga ana e tyre dhe se siç theksoi ai “nderin e përballjes me mua këtu apo jashtë këtyre mureve, bam e bum, duke llokanisur kokën e miletit nuk keni për ta pasur më si deri dje”.

Ora 11:10  Rama në Kuvend: Mocioni më absurd! Kulmi i përçarjes në formën e një marrie konspirative të opozitës

Nga foltorja e Kuvendit, Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës në lidhje me çështjen McGonigal.

Teksa përmendi akt-padinë amerikane, Rama theksoi se në të i vetmi person i akuzuar është ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, teksa akuzat i konsideroi si “kulmi i përçarjes në formën e nëj marri konspirative” të opozitës.

Mocionin me debat, Rama e konsideroi si më absurdin të thirrur ndonjëherë 
“Prej javësh në Shqipëri ka shpërthyer një kanal ujërash të zeza kinse opozitare, në një përpjekje të dëshpëruar për të shfrytëzuar politikisht një proces gjyqësor në PS që ska asnëj lidhje me Shqipërinë, me qeverinë apo me mua personalisht. Çfarë ka ndodhur konkretisht?”

Ora 10:59 Berisha paralajmëron Ramën: Do bëjmë gjithçka që të të heqim imunitetin diplomatik

Kryetari i Partisë Demokratike i Rithemelimit Sali Berisha ka paralajmëruar Kryeministrin Edi Rama se opozita do bëjë gjithçka që t’i heqë imunitetin diplomatik.

“Më mirë futu nën bankë se ke kryer krim në SHBA. Hiq çdo iluzion, je nën hetim, ke kryer krim, sa do të të mbajë imuniteti diplomatik. Do bëjmë gjithçka që të ta heqim atë. Ti ke vazhduar me McGonigal sistemin e gjobave 20 përqind që ushtroje me pasion të çmendur. Vendosët sistem shushunjash të paprecedentë në një vend ndaj biznesmenëve. Vetëm e vetëm ti nënshtroni ata, ti rripni ata”, tha Berisha.

Ora 10:44  Alibeaj i drejton 30 pyetje kryeministrit: Takimet ishin private apo zyrtare?

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj i kërkon kreu të qeverisë përgjigje mbi arsyet e takimeve të tij me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal dhe nëse ato ishin takime zyrtare apo për arsye private. 

“Në këtë interpelancë kanë një seri pyetjesh që Rama duhet t’i japë përgjigje. Janë realizuar 4 takime mes Ramës dhe personave më sipër. Kush janë personat në 4 takimet e përmendura në akt-padi. Takimi zhvillohej si takim privat apo zyrtar? A u prezantua si zyrtar i lartë i FB McGonigal? Përse është diskutuar dhënia e licencave të shfrytëzimit të fushave të naftës në këtë takim? A keni qenë në dijeni se Neza dhe Duçka kishin ineteresa financiare në licencat e shfrytëzimit të naftës?’, pyet ai.

Ora 10:33 Berisha kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor: Po shkelni Kushtetutën

Ish-kryeministri Berisha i ka kërkuar kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe mazhorancës që të lejojnë ngritjen e Komisionit Hetimor për të shqyrtuar çështjen “Rama-McGonigal”.

“Po lexoj një nen të rregullores dhe po e shkelni me këmbë një nen të Kushtetutës të Shqipërisë, që detyron parlamentin të ngrejë komisionet hetimore pasi firmosin një e katërta e deputetëve.  Deputetët po ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për një nga aferat më tronditëse të kohës, implikimin direkt të kreut tuaj në rekrutimin, korruptimin e kryeagjentit të FBI si vrasës me pagesë kundër opozitës shqiptare. Veprimtaria Rama-McGonigal, antiligjore në të dy vendet, ka degëzime shumë të mëdha në Tiranë. Janë një seri çështjesh që duhet të marrin përgjigje nga komisioni hetimor parlamentar”, u shpreh Berisha.

Ora 10:20 Rama në Kuvend për McGonigal, Boçi kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor 

Para nisjes së diskutimeve dhe pyetje-përgjigjeve për lidhjen McGonigal-Rama, seanca plenare ka nisur me një minutë heshtje në nder të tre grave të vrara më 1 Mars nga Dan Hutra.

Më tej, deputeti demokrat Luçiano Boçi ka kundërshtuar rendin e ditës që ka përfshirë në një çështje, seancën e pyetje-përgjigjeve për McGonigal, interpelancën me Kryeministrin Rama dhe mocionin me debat për ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal.

Sipas Boçit, mazhoranca tenton të ndryshojnë rendin e ditës, pasi kërkon të mbulojë skandalin kombëtar dhe ndërkombëtar.

“Ndani veç seancën e pyetjeve, interpelancën dhe mocionin me debat dhe miratoni Komisionin Hetimor. Argumenti këtu i paraqitur se s’mund ta ngremë se kemi ndërprerë funksionimin e ligjit për komisionet hetimore nuk shkon. Mos të veprijë Kushtetuta, të bëjmë kaos se doni ju të bëjnë pushim ligjet. Ligji i komisioneve ka marrë pushimin 15 ditësh. Ndryshoni rendin e ditës”, tha Boçi, teksa kërkoi më tej ngritjen e Komisionit Hetimor për të hetuar lidhjen e Kryeministrit Edi Rama, këshilltarëve të tij dhe ministrave, me McGonigal.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme