Kryemadhi: Këlliçi do të fitojë në Tiranë, PL synon këshillat bashkiakë

Politikë | 4 vite më parë

Monika Kryemadhi, deputete e PL-së, shprehet e bindur në fitoren e opozitës në zgjedhjet vendore të 14 majit. Sipas saj, Belind Këlliçi, kandidat i PD-së për Bashkinë e Tiranës, ngjall mjaft interes dhe ka të sigurtë fitoren në këto zgjedhje, sepse qytetarët e duan dhe se ai çdo ditë evidenton problemet që ka kryeqyteti dhe jep alternativat për zgjidhjen e tyre.

Kryemadhi, në emisionin “Publikisht” në RTSH, shprehu bindjen se opozita, pavarësisht problemeve me të cilat përballet PD-ja, do të jetë e bashkuar të paktën në tre bashkitë kryesore të vendit si Tirana, Durrësi dhe Elbasani.

“Shanset e opozitës, në zgjedhjet e 14 majit, për fitore, janë mjaft të mëdha. Ka rëndësi unifikimi i opozitës në këto zgjedhje. Pavarësisht vendimit të 3 marsit, të paktën për Tiranën, Durrësin dhe Elbasanin, opozita do të bashkohet.”- u shpreh Kryemadhi.

Sipas saj, PL do hyjë me listat e saj për Këshillat Bashkiakë dhe se PD do të hyjë me listat e veta. Kryemadhi nënvizon se PD, PL kanë edhe plan “A”, “B” dhe “C”. 

“PL do të ketë këshilltarët e saj. Janë edhe 4 kandidatë tanët të PL-së, që janë zgjedhur nga primaret. Ne kemi ndjesi positive për rezultatin e zgjedhjeve. E shikoj pozitive pakënaqësinë e qytetarëve. Kjo do të shtojë energjinë e opozitës. Fitorja është e sigurtë nëse ecim me vendosmëri. Problem më i madh është që të nxisim njerëzit të shkojnë në votime.”- theksoi Kryemadhi.

/rtsh.al/ 

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme