Berisha: Ahmetaj kërcënoi Ramën me fakte përvëluese për inceneratorët

Politikë | 4 vite më parë

Kreu i PD-së i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka akuzar kryeministrin Edi Rama se është përgjegjësi kryesor për dosjen e inceneratorëve duke shtuar se “e gjithë kjo aferë bëhet vetëm me firmë të tij”.

Në mbështetje të akuzave të tij, Berisha përdori deklaratën e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, ku u i kërkoi kryeministrit “të mos bëjë gjykatësin”. Berisha tha se Ahmetaj i dha mesazh të qartë Ramës “se ka fakte përvëluese për të lidhur me inceneratorët”.

“Në mënyrë të përsëritur kam deklaruar se përgjegjësia absolute, përgjegjësia kryesore për aferën e inceneratorëve ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama. Personi tjetër në zinxhir, Arben Ahmetaj u tha dje shqiptarëve të njëjtën gjë: nuk isha unë aq i fuqishëm sa të lëviz qeverinë.

Arben Ahmetaj është mëkatar, por këtu ka të drejtë. Përveç kryeministrit dhe zyrës së tij nuk ka njeri që mund të mbledhë 17 dokumente për 24 orë nga qeveria. Çfarë tregon kjo? Interesin absolut të Edi Ramës për aferën. Ai i dha këtë mesazh Edi Ramës, por unë u them ju me përgjegjësi të plotë se ai nuk ka vetëm këtë provë për Edi Ramën.

Mos bëj gjykatësin, i tha Ramës. Ai zgjodhi këtë argument, në pamje të parë të pafajshëm, por ai disponon fakte përvëluese për presionin e jashtëzakonshëm të Edi Ramës në këtë aferë. Kurrë një kryeministër nuk mund të firmosë një kontratë, për të cilën institucioni kombëtar i specializuar i thotë se është e paligjshme. Një kryeministër i firmos vetëm kur e ka firmën e vet”, tha Berisha.

Akzuat nuk munguan sërish edhe për çështjen McGonigal, ku këtë herë Berisha i bëri thirrje FBI dhe Kongresit amerikan të hetojë veprimtarinë e ambasadores së SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim si të përfshirë në shantazhimin e biznesmenëve.

“E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën.

Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim. Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat.

I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare. I bëj thirrje Kongresit të SHBA, të hetojë në mënyrë të veçantë dosjen shqiptare të kësaj afere, implikimet e padiskutueshme, terrenin në funksion të kësaj gjobëvënie të shpifur, të turpshme”, tha Berisha.

Gjatë mbledhjes Berisha foli edhe për mbështetjen e Ukrainës, ku sot shënohet 1-vjetori i nisjes së pushtimit rus ndaj saj. Berisha tha se PD dënon agresionin barbar rus dhe mbështet fuqishëm rezistencën e popullit të Ukrainës dhe mbajtur dhe një minutë heshtje.

“Sot, në këtë përvjetor njerëzit e lirë në mbarë botën përulen me nderimin më të madh para qëndresës së jashtëzakonshme dhe sakrificës sublime të dhjetëra e mijëra luftëtarëve ukrainas të lirisë që luftuan dhe ranë në fushën e nderit për lirinë dhe pavarësinë e vendit tyre.

Partia Demokratike e Shqipërisë, duke dënuar me forcën më të madhe agresionin barbar rus dhe mbështetur fuqishëm rezistencën e fuqishme të popullit të Ukrainës ndaj tij, konsideron luftën heroike të kombit të Ukrainës kundër agresorit rus, si një luftë jo vetëm për sovranitetin dhe lirinë e vendit të tij, por si një luftë mburojë e pakapërcyeshme për mbrojtjen e lirisë në Evropë dhe në botë”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme