Zgjedhjet e 14 majit/ Meta: Nisim procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për këshillat bashkiakë, PS-ja në panik për humbjen që e pret

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka deklaruar se forca politike që ai drejton do të nisë në ditët në vijim procesin e përzgjedhjes së kandidaturave për këshillat Bashkiak për zgjedhjet vendore të 14 Majit.
“14 maji është dita e fundit e monizmit në qeverisjen vendore dhe dita e parë e kthimit të bashkive në duart e qytetarëve. Rikthimi i llogaridhënies në çdo bashki të vendit është objektiv kryesor i nesër. Prandaj dhe mbledhjet e sotme dhe nesërme janë të rëndësishme për të përcaktuar kriteret për zgjedhjet e njerëzve me integritet për të përfaqësuar qytetarët në këshillat bashkiakë të vendit. Unë besoj se të gjithë ne do të jemi të përgjegjshëm për të zgjedhur ata njerëz të devotshëm, të përkushtuar ndaj komunitetit të cilët do i kthejnë në vepra konkrete të gjitha kauzat e Partisë së Lirisë dhe do të mbrojnë të drejtat e nëpërkëmbura të qytetarëve”, u shpreh Meta.
Sipas Metës, zgjedhjet e 14 majit do të sjellin një frymëmarrje të re në politikën shqiptare, ndërsa shtoi se mazhorancën e ka kapur paniku i humbjes.
“Apo keni parë se si shpërdorohen taksat e tyre që vetëm janë rritur gjatë gjithë këtyre viteve në projekte të cilat kurrë nuk realizohen. 14 maji do të jetë një frymëmarrje e re. Edhe njëherë tjetër dua t’ju falenderoj për bashkëpunimin tuaj dhe jam i sigurt që në ditët në vazhdim, ky intensitet komunikimi me qytetarët do të na çojë drejt atij rezultati spektakolar që do të arrijë opozita më 14 maj. Sirenave të bashkëpunimit do i përgjigjemi me optimizmin e popullit. Ata janë në panikun e humbjes që i pret dhe çdo provokim ndaj opozitës i bën edhe më të pashpresë. Edhe vetë socialistët e kanë kuptuar që me Edi Ramën edhe vatrat e socialistëve zbrazen çdo ditë. Vetëm një pakicë e pashpirt që nuk njeh kushtetutë dhe nuk njeh ligj ka përfituar në kurriz të shumicës dërrmuese të qytetarëve”, u shpreh Meta në mbledhjen e kryesisë së Partisë së Lirisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




