“Protestat me dhunë, shëmti në sy të Europës“, ambasadori i Italisë bën bashkë deputetët e mazhorancës dhe opozitës

“Manifestimet në sheshe duhen, ato e ushqejnë demokracinë, por është e shëmtuar të shohësh që ndonjëherë manifestimet në sheshe tejkalohen në dhunë. Jeni në sytë e Europës. Integrimi i vendit duhet të jetë përparësia juaj përtej betejave politike që duhet të ekzistojnë por duhen bërë brenda një perimetri korrektese, respekti, njohjeje të të tjerëve dhe legjitimitetit”. Këtë mesazh u ka dhënë sy ndër sy ambasadori italian në Shqipëri, Fabrizzio Bucci teksa edhe zgjedhjet vendore po afrojnë, deputetëve të mazhorancës dhe opozitës sonë, pjesë e Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Itali brenda parlamentit, shoqata më e madhe që përfshin 52 deputetë, ose ndryshe 1/3 e parlamentit, duke i ftuar e bërë bashkë në Rezidencën e tij në Tiranë.
“Që jeni këtu bashkë tregon se lidhjet me Italinë, miqësia mes Italisë dhe Shqipërisë ju bashkon dhe kjo më prek gjithmonë. Si vrojtues i interesuar, e kuptoj luftën politike, por shpesh gjej përqendrim tek ajo që ju ndan dhe nuk punohet mjaft tek gjërat që ju bashkojnë. Ju përfaqësoni popullin, shqiptarët që ju kanë zgjedhur dhe unë besoj se shqiptarët nga politika presin përgjigje, zgjidhje, që politika të flasë gjuhën e tyre dhe gjuha e tyre është shumë e thjeshtë: Ata kërkojnë punë, shërbime që funksionojnë, drejtësi që funksionon, që korrupsioni të luftohet, që të rinjtë të gjejnë punë pasi mbarojnë studimet, sepse Shqipëria është një vend ku të rinjtë ikin, është një dramë kombëtare që nuk i përket vetëm Shqipërisë, por gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vitin e kaluar më në fund nisën negociatat e Shqipërisë për në BE. Tani nuk do të pyesim më nëse Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por kur Shqipëria do të jetë pjesë e BE. Sytë e Europës janë tani mbi ju, mbi politikën shqiptare, mbi ju parlamentarët, mbi Shqipërinë. Ritmi i negociatave varet nga fakti se sa të gjitha institucionet shqiptare do të jenë në gjendje të arrijnë standardet europiane.
Është nevoja për më shumë përgjegjësi, sens të përparësive kombëtare. Ky është interesi i gjithë Shqiptarëve dhe jo interesi i një pjese të politikës kundër tjetrës. Kundërshtitë, manifestimet politike janë normale dhe e ushqejnë demokracinë nëse bëhen në një perimetër korrektese, respekti, njohjeje të të tjerëve, legjitimiteti dhe në një përplasje paqësore. Por është e shëmtuar të shohësh që ndonjëherë manifestimet në sheshe tejkalohen në dhunë. Jeni në sytë e Europës.
Italia në gjithë këtë proces në këto 30 vite të kaluara apo në 300 vitet e ardhshme ka qenë e do të jetë pranë jush gjithmonë. Impenjimi ynë nuk do të ndryshojë, por do të jetë gjithmonë edhe më i madh” u shpreh Bucci .
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



