“World Government Summit 2023”, Rama: Ngjarjet e mëdha kërkojnë gjithpërfshirje

Politikë | 4 vite më parë

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Emiratet e Bashkuara Arabe për një vizitë dy-ditore. Kreu i qeverisë do të marrë pjesë në “World Government Summit 2023”, ku në një komunikim me mediat e pranishme atje, ka deklaruar se epoka e gjërave të reja, po sfidon mënyrën qeverisëse. Po ashtu, Rama u shpreh se fokusi i qeverisë është siguria përballë sfidave.

Lidhur me bashkëpunimin global, Rama tha se situatat dhe ngjarjet madhore, kërkojnë veprime gjithpërfshirëse.

Komunikim i Kryeministrit Edi Rama me mediat e pranishme në “World Government Summit 2023”:

Faleminderit për pjesëmarrjen tuaj në Samitin Botëror të Qeverisjes. Doja të dija cilat janë përshtypjet tuaja për Samitin Botëror të Qeverisjes, që tashmë është në përvjetorin e dhjetë. Cilat janë përshtypjet tuaja?

Ishte hera e parë për mua dhe sapo mbërrita ndoqa seancën. Dukej shumë e këndshme. Organizim shumë i mirë dhe me aq sa e ndoqa, mu duk shumë interesant në lidhje me temat që trajtohen.

Samiti i qeverisjes është një platformë globale për bashkëpunimin midis qeverive, industrive, botës së artit dhe inovacionit, një vend ku njerëzit mblidhen për të shkëmbyer ide dhe për të propozuar zgjidhje të reja për problemet. Pse mendoni se bashkëpunimi global duhet çuar përpara për probleme të ndryshme me të cilat përballet bota sot?

Gjithnjë e më shumë po përballemi me situata dhe ngjarje që janë më të fuqishme se ne, nëse i adresojmë në mënyrë të izoluar si vende dhe kontinente. Si të tilla ato kërkojnë veprime gjithëpërfshirëse dhe shpresojmë t’i realizojmë këto para se katastrofat të na fshijnë nga faqja e dheut.

Ne ju njohim që kur ishit kryebashkiak i Tiranës. Ju e rikonceptuat qytetin e Tiranës dhe ne e pëlqyem shumë punën tuaj. Cili është vizioni juaj për qeverisjen e vendit dhe inovacionin në qeverisje?

Në ditët e sotme, mënyra për të qeverisur vendin përcaktohet nga mënyra se si ne e përqafojmë të renë sepse çdo ditë dalin gjëra të reja. Kjo epokë e re e gjërave të reja po sfidon mënyrën tonë të qeverisjes. Si rrjedhojë, sa më shumë të ndërveprojmë me njëri-tjetrin dhe bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, aq më shumë mund ta përdorim teknologjinë në një mënyrë që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin. Kjo është ajo që duhet të bëjmë, që të jemi relativisht të sigurt përballë sfidave.

Ju drejtoni një kabinet qeveritar që përbëhet kryesisht nga gra. A mendoni se kjo i sjell cilësi qeverisjes në këndvështrimin tuaj?

Para së gjithash nuk dua të dukem sikur po u jap leksione të tjerëve për atë që po ndodh në Shqipëri tani. Në lidhje me avantazhet e kësaj, unë do citoja Margaret Thatcher që thotë “nëse do që të bisedosh, këtë e bën me një burrë, por nëse kërkon të mbarosh punë, këtë ta mbaron një grua”.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme