PD e njoftoi mbi protestën/ Policia publikon akset rrugore që do bllokohen nga ora 10:00 deri në fund të tubimit

Një ditë pas njoftimit të marrë nga Partia Demokratike e Rithemelimit, lidhur me protestën e 11 shkurtit, ka reaguar dhe Policia. Kjo e fundit, ka bërë me dije se nga ora 06:00 nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Po ashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjete nga ora 10:00 deri në përfundim të protestës.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga Policia e Shtetit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit që do të zhvillohet në datën 11.02.2023, në orën 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë, do të angazhojë shërbimet e Policisë, për bllokimin e qarkullimit në disa segmente rrugore, si dhe për bllokimin e pjesshëm të qarkullimit në disa segmente të tjera rrugore. Njoftojmë qytetarët se duke filluar nga ora 06:00 e datës 11.02.2023, nuk do të lejohet parkimi i automjeteve, në rrugët e poshtëshënuara:
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”, rruga “Papa Gjon Pali II”, bulevardi “Zhan D’Ark” dhe bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës së Elbasanit me rrugën “Ibrahim Rugova”. Gjithashtu, në këto rrugë, do të bllokohet qarkullimi i automjeteve, nga ora 10:00 e datës 11.02.2023 deri në përfundim të tubimit.
Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin lëvizjen me automjete, në këto akse rrugore dhe të përdorin rrugë alternative, për të mos penguar lëvizjen e lirë të pjesëmarrësve në tubim. Policia garanton qytetarët se ka marrë të gjitha masat në përmbushje të përgjegjësive institucionale, për garantimin e rendit dhe të sigurisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të tubimit, si dhe për garantimin e sigurisë rrugore, në të gjithë territorin e vendit, veçanërisht në sheshet dhe në segmentet rrugore, në të cilat do të zhvillohet tubimi”, njofton Policia.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




