Çështja “McGonigal”, Rama: Kurrë s’ka pasur një opozitë më të mjerë dhe më të degraduar se kjo e sotmja

Çështja “McGonigal” dhe deklaratat e opozitës, kanë qenë sërish në qendër të një reagimi të kryeministrit, Edi Rama. Me anë të një komenti në Twitter, Rama e ka cilësuar opozitën si “të mjerë” dhe “të degraduar”, lidhur me akuzat e saj në adresë të tij.
Sipas Ramës, të gjitha denoncimet dhe akuzat e opozitës janë “gënjeshtra”, duke shtuar se “asnjëherë nuk ka pasur një opozitë që e ka ndotur mjedisin publik më keq se tani”.
“Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!”- shkruan Rama.
Sipas tij, asnjëherë, asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot, nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme.
“Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur” – shkruan Rama në Twitter.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




