Çështja McGonigal/ Berisha: Rama është nën hetim me vendim të gjykatës së SHBA, Yuri Kim i tha të mos fliste

Kreu i Partisë Demokratike zgjedhur nga Procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka hedhur një sërë akuzash ndaj kryeministrit Edi Rama për lidhjet e këtij të fundit me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së, Charles McGonigal. Sipas Berishës, Kryeministri Rama ka udhëtuar jashtë Shqipërisë për të shmangur vëmendjen nga një prej aferave më të shëmtuara, dhe se është ndaluar nga Ambadsadorja amerikane, Yuri Kim që të mos japë asnjë deklaratë për këtë çështje.
“I drejtohem opinionit publik të SHBA-ve, Shqipërisë, Europës dhe mbarë vendrve të lira. Afera Edi Rama-McGonigal është një prej aferave më të shëmtuara. Akt të cilin mund ta ndërmerrnin Enver Hoxha, Spiro Koleka, Kim Yong Un. Një akt që kurrë një kryeministër, nuk mund t’ia lejonte vetes ta ndërmerrte, ndaj SHBA vendit më kryesor në sigurinë e paqes, në hapësirën euro-atlantike dhe në botë.
Ndaj kësaj ngjarje tronditëse Edi Rama u zhduk 5 ditë me kodin absolut të heshtjes. Burime thonë se fluturoi jashtë vendit, por një gjë është e sigurt. 5 ditë më radhë kur të gjitha mediat e botës lakonin për zi emrin e tij, për fat të keq dhe të Shqipërisë, që kishte përdorur një ish-oficer të sigurimit të shtetit për të korruptuar njeriun më të jashtëzakonshëm të agjencisë më të fuqishme të planetit, shefin e kundërinteligjencës së FBI, Charles McGonigal, Edi Rama hesht, si kurrë ndonjëherë në jetën e tij”, tha Berisha.
Ky i fundit i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, DASH, FBI-së që të hetojnë lidhjen e Kryeministri Rama, Ambasadoren amerikane Yuri Kim me McGonigal.
“Burime plotësisht të besueshme, më kanë informuar se në heshjen e Edi Ramës, një rol të veçantë ka guvernatorja Yuri Kim, e cila i ka kërkuar atij të mos bëjë asnjë deklaratë dhe se po këto burime informojnë se deklarata qesharake e Edi Ramës për të përgënjeshtruar miqësinë me McGonigal, ka qenë këshillë e guvernatores, SHBA të hetojë hollësisht këto marrëdhënie. Rama është nën hetim me vendim të gjykatës së SHBA”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




