Grupi Parlamentar i PD-së kërkon shkarkimin e Kryeparlamentares Lindita Nikolla: Minoi Parlamentin për llogari të Ramës

Politikë | 4 vite më parë

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar shkarkimin e kryetares së Parlamentit, Lindita Nikolla, për shkak të shkeljes së rregullores dhe minimit të Kuvendit. Sipas njoftimit të grupit, Kryeparlamentarja ka asgjesuar Parlamentin për llogari të Kryeministrit Edi Rama. Këtë të fundit, grupi parlamentar demokrat e akuzon për lidhje me ish-zyrtarin e arrestuar të FBI, Charles McGonigal.

Në seancën e sotme plenare, kreu i grupit parlementar demokrat, Alibeaj, kërkoi ndryshimin e rendit të ditës dhe përfshirjen në të, të diskutimeve për lidhjen e Kryeministrit Rama me McGonigal. Më tej, Alibeaj akuzoi kryeministrin Edi Rama si strumbullarin e një skandali korruptiv që prej ditësh vlon në Shqipëri e Amerikë.

“Sot Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin.

Veprimi i sotëm i Kryetarës së Kuvendit, është akt i paprecedent në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit.

Ndërsa drejtësia amerikani asgjesoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.

Gjithashtu, nga sot Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla.

Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla”, thuhet në njoftimin e grupit parlamentar të PD-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme