21 Janari/ Gjiknuri: Sot kallëzojmë penalisht në SPAK, Berishën, Bashën dhe Ndrea Prendin

Politikë | 4 vite më parë

 Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri në një dalje për mediat nga selia rozë ka deklaruar se kjo forcë politike do të depozitojë sot në SPAK kallëzimin penal ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi për vrasjet e 4 protestuesve më 21 janar 2011.

Sipas Gjiknurit, as drejtësia e kaluar dhe as kjo e sotmja nuk kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të 21 janarit dhe vendosjen përpara drejtësisë të autorëve të saj.

“Partia Socialiste do të depozitojë sot në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe Krimit të Organizuar një kallëzim penal ndaj shtetasve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi, për kryerjen e veprave penale të vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, referuar ngjarjes tragjike të 21 janarit 2011. Dialogjet e bëra publike  e tregojnë qartë se vrasjet u urdhëruan nga lart dhe u përgatitën me një gjakftohtësi kriminale e cila nuk ka asnjë lidhje me ligjin për Gardën e Republikës. Ne e kemi drejtuar gishtin menjëherë te Sali Berisha pas asaj ngjarjeje. Nuk ka pasur qytetar që të mos ketë kuptuar që urdhëruesit ishin Sali Berisha dhe bashkëpunëtori i tij i afërt në atë kohë, Lulzim Basha. Ata të gjithë e dinin dhe e treguan me gisht, drejtësia e kohës, zgjodhi të mos e shikonte, besonte apo edhe ta hetonte. Edhe drejtësia e re është treguar e pafuqishme për të hequr pluhurin e harresës mbi këtë dosje dhe për të zbardhur plotësisht këtë krim”, u shpreh Gjiknuri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme