Inceneratorët/ Berisha: Rama, kryetar i organizatës krimininale, SPAK po injoron faktet! Mbajtja e protestave e vetmja zgjidhje

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha është ndalur edhe këtë të mërkurë në aferën e inceneratorëve. Berisha ka vijuar të akuzojë kryeministrin, Edi Rama si kryetar i organizatës krimininale pasi sipas tij mashtroi në hetime, duke mos lejuar pasqyrimin e së vërtetës. Berisha shprehu rezerva edhe ndaj SPAK pasi sipas tij po injoron faktet. Ai i ka bërë thirrje qyterarëve të ngrihen në protestë, pasi po sipas tij revolucioni është shpresa e vetme për drejtësi.

“Një hetim i hollësishëm, serioz, i dokumentuar, i publikuar dje nga Partia e Lirisë, dëshmon në mënyrë përfundimtare denoncimin që kemi bërë me dhjetëra herë dy vitet e fundit, se Edi Rama është kreu i organizatës kriminale dhe se në rastin konkret, fusha e plehrave në Sharrë është shndërruar në minierën e floririt për Edi Ramën dhe Erion Veliajn. Dje u faktua se Edi Rama, për sipërmarrjen e tij, me të cilën pret çdo ditë euro, ka mashtruar publikisht dhe nën betim.  Që Edi Rama është kreu i organizatës kriminale të djegësve që po përvetësojnë qindra milionë euro, kjo faktohet në mënyrën më të pakundërshtueshme me firmën e tij për kontratën e djegësave, kontratë që është negociuar dhe firmosur në kundërshtim flagrant me ligjet e vendit, me praktikat e prokurimeve.

Ky është një krim i shëmtuar, një vjedhje monstruoze. Kjo kërkon një përgjigje dhe këtë përgjigje mund ta japin vetëm qytetarët, kur SPAK-i është kthyer në SPAK vetëm kundër opozitës. Qytetarë dhe qytetare, shpresa e vetme jeni ju, është zëri juaj, është revolucioni juaj. Kjo qeveri po bllokon çdo mekanizëm të hetimit të saj dhe ka hapur dyert për vjedhjen tuaj ditën e natën. Ju bëj thirrje të ngrihemi kundër kësaj organizate kriminale që nuk ndalet para asgjëje, që mbulohet nga ajo drejtësi, e cila është shndërruar e tëra në një bashkëpunëtore të rrezikshme në vjedhje e krim të qeverisë shqiptare”, tha Berisha.

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, një ditë më parë publikoi disa prova, si shkelje në inceneratorin e Tiranës. Ajo kërkoi SPAK-ut të ndalojë pagesat për inceneratorit të Tiranës me qëllim transparencen e tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme