Zgjedhjet vendore/ Begaj takim me Celibashin në Presidencë: Burimet publike të mos përdoren për mbështetje të partive

Politikë | 4 vite më parë

Katër muaj para zgjedhjeve vendore të 14 majit, Presidenti Bajram Begaj ka zhvilluar një takim në Presidencë me kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi. Pas përfundimit të takimit, Begaj u shpreh se zgjedhjet vendore janë edhe si një provë maturie për sistemin tonë demokratik, teksa bëri thirrje që burimet publike të mos përdoren për mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre në fushatë.

“Ftova sot në Institucionin e Presidentit të Republikës, Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi për të diskutuar mbi përgatitjet e procesit zgjedhor për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Gjithashtu vura theksin për rëndësinë që kanë këto zgjedhje jo vetëm si mundësi e mirëpritur për të shprehur vullnetin politik, por edhe si provë e rëndësishme maturie për vetë sistemin tonë demokratik. Në bisedën me zotin Celibashi u ndala në domosdoshmërinë që ka zbatimi i Kodit Zgjedhor dhe udhëzimeve të KQZ-së nga të gjitha institucionet qendrore dhe vendore me detyrimin për të mos përdorur veprimtaritë dhe burimet publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore dhe kandidatëve të tyre në fushatë”, tha Begaj.

Kreu i shtetit i bëri thirrje të gjitha subjekteve që të zbatojnë me përpikmëri ligjin, teksa inkurajon edhe KQZ që të monitorojë për të mos lejuar shkelje.

“Gjej rastin t’i bëj thirrje publike të gjitha subjekteve të këtij ligji që ta zbatojnë atë me përpikmëri dhe të inkurajoj KQZ-në për një monitorim e zbatim korrekt të tij. Të gjithë shqiptarët dëshirojnë një garë të ndershme dhe të barabartë të kandidatëve në fushatë. Nëpërmjet zbatimit të ligjit ne ua garantojmë këtë”, përfundoi Begaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme