Xhaçka: Do ketë ndryshime ambasadorësh! Njoftimi për zëvendësimin e Yuri Kim? E gjykuam për t’i prerë rrugën thashethemeve

Politikë | 4 vite më parë

Shqipëria do të ripërtërijë shërbimin diplomatik. Në një konferencë për mediat, Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka bëri me dije se vendi ynë do të ndryshojë ambasadorët në misionet tona diplomatike, duke theksuar se kanë nisur bisedimet me kryeministrin Edi Rama për evidentuar njerëzit më të përshtatshëm. Xhaçka nuk dha emra konkretë që mund të preken nga lëvizjet, por theksoi se më shumë informacione do të publikohen shumë shpejt.

“Nuk po diskutojmë me emra, por ju e dini që edhe shërbimi diplomatik ka një cikël. Shërbimit tonë diplomatik i ka ardhur koha për t’i ripërtërirë. Gjatë verës u angazhuam në një proces për zëvendësimin e diplomatëve tanë në 51 përfaqësitë tona dhe ka ardhur momenti për të parë çështjen e ambasadorëve dhe kam qenë në diskutime me kryeministrin për të evidentuar njerëzit më të përshtatshëm. Jemi duke diskutuar për lëvizje të reja dhe së shpejti do ketë informacione edhe për emra konkretë”, tha Xhaçka.

Ndryshimi i ambasadorëve u lajmërua edhe nga kryeministri Edi Rama të premten, pas një takimi me Presidentin Bajram Begaj.

Xhaçka komentoi edhe njoftimin e Ministrisë së Jashtme lidhur me nisjen e procedurave të zëvendësimit të Yuri Kim si ambasadore e SHBA në Shqipëri, duke sqaruar se u publikua “për t’i prerë rrugën thashethemeve”.

“Nuk kërkon ndonjë shkencë për të kalkuluar se kur fillon dhe mbaron mandati i një ambasadori që ka një vëmendje të veçantë. I mirëkuptoj ata që mendojnë se mund të mos kishim bërë një njoftim të tillë por s’kemi thënë asgjë më shumë se ajo që u tha në media dhe përpara se ky informacion të bëhej i ditur nga ne. Kanë filluar telefonatat, kërkesa për informacion dhe teori komploti dhe lobimesh. Në këto kushte, gjykuam që ishte vendi për t’i prerë këto thashetheme duke thënë se nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme”, u shprej Ministrja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme