Zgjedhjet vendore/ Gjiknuri: Kandidatët do i zgjedhim me konsultim publik, objektivi ynë të fitojmë të gjitha bashkitë

Politikë | 4 vite më parë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Damian Gjiknuri në konferencën e fundvitit për gazetarët është pyetur lidhur me kandidaturat për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Gjiknuri sqaroi se PS do të kryejë fillimisht konsulta brenda partisë dhe më pas edhe konsultim publik, pasi siç theksoi ai, zgjedhja e kandidatëve brenda barkut politik nuk do të garantonte fitore dhe as mirëqeverisje.

“Shumë shpejt Kryesia e PS do miratojë një udhëzim që ka të bëjë me konsultimet për kandidatët dhe listat e këshilltarëve. Sepse dhe parlamentet vendore kanë shumë rëndësi, pasi fatkeqësisht kanë qenë të lëna mënjanë, aq më tepër në zgjedhjet e fundit që gati ishin monopartiake.

Ne do vazhdojmë traditën e konsultimeve me strukturat e partisë, dhe përtej duke përfshirë dhe alternativë sondazhet dhe opinionin e qytetarëve.

Për ne është e rëndësishme që kandidatët të jenë të pëlqyeshëm nga qytetarët jo thjesht nga barku i vogël partiak sepse nuk është garanci për fitore dhe mirëqeverisje. Problemi është që nuk duhen 1 mijë vota, por 10-20 mijë vota. Prandaj kandidati duhet rimenduar. PS ka zgjedhur këtë metodologji. Dhe ne kemi pasur primare në 2007, dhe atëherë kështu i zgjodhëm me votim brenda partisë dhe jo shpeshherë dolëm fitues, por përkundrazi ne i humbëm zgjedhjet në shumë komuna. Këto janë metoda që shiten si demokratike, por nuk prodhojnë proces demokratik dhe kualitativ”, tha Gjiknuri.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme