Votimi për Avokatin e Popullit/ Berisha: Proces i turpshëm, Rama kërkon të kontrollojë institucionin

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka komentuar seancën e djeshme (22 dhjetor) plenare, ku akuzon mazhorancën për ndërhyrje në zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sipas Berishës, lista me kandidatët për Avokat të Popullit ishte dinjitoze, por që siç thekson kreu demokrat, Kryeministri Rama kërkon të vendosë në krye të institucionit njeriun e tij.
Teksa e konsideroi një proces të turpshëm atë të mosvotimit të asnjë prej kandidatëve, Berisha therkson se Rama kërkon të pushtojë edhe insititucionin e Avokatit të Popullit, të vetmin që nuk e kontrollon.
“Parlamenti e mbylli vitin në mënyrën më moniste. Të gjitha pushtet, përveç kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, tani i shkojnë qeverisë. Të gjithë kandidaturat që ishin në listë për t’u votuar, gjykoj se kjo ishte lista më dinjitoze që është paraqitur ndonjëherë, aty kishte përfaqësues të të përndjekurve politikë, si Besim Ndregjoni, i cili gëzonte mbështetje të gjerë të shtresës së tij dhe një kandidaturë e përkushtuar ditë dhe natë për të drejtat e njeriut ishte dhe veprimtari i shoqërisë civile, Altin Goxhaj. Ishin edhe juristë të njohur, të rinj, përfaqëues të gjeneratës së re si Dorian Gjokmarkaj dhe Ilir Dervishi.
Pra, ishin një numër i konsiderueshëm dhe të gjithë ata u hodhën poshtë vetëm pse Edi Rama nuk pranonte asnjërin prej tyre, përveç atij që donte vetë. Ajo që patë në këtë proces, ishte, do të thosha procesi më i turpshëm, me të cilin Edi Rama haptas kërkoi të pushtojë të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon. Në traditë, të këtij vendi dhe vendeve të tjera, është respektuar parimi i Avokatit të Popullit të emëruar nga opozita”, tha Berisha.
Ndërsa lidhur me nisjen e punimeve për godinën e re të Teatrit Kombëtar, Berisha deklaroi se do bëhet gjithçka që projekti të mos ndërtohet. Berisha paralajmëroi se godina e re e Teatrit Kombëtar do të rrafshohet dhe Teatri do të ndërtohet siç ka qenë.
“Do bëhet gjithçka që ai projekt të mos ndërtohet. Por do rrafshohet. Aty do ndërtohet teatri siç ka qenë. Kjo nuk ka diskutim. Ai do rrafshohet, do i lëshojë rrugën teatrit siç ka qenë. Do bëhet gjithçka për ta penguar”, tha Berisha.
Kreu demokrat ka komentuar dhe vizitën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në jug të vendit ku u takua me minoritetin grek. Sipas Berishës, zhurma se Himara është minoritet, është absurditeti më i madh historik.
“Së pari, kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himariotët nuk janë larim në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar. Himara ka një realitet të pamohueshëm, se një pjesë e fshatrave flasin edhe shqip edhe greqisht. Qyteti, si çdo port, është i miksuar, shqiptarë kryesisht, por edhe grekë, venecianë. Por këto, as gjuha, as mikstura, nuk e bëjnë Himarën gjë tjetër përveçse bastion i shqiptarizmës. Himara, e njohur në histori, së bashku me malësitë e Alpeve dhe Sulin, kanë pasur kodet dhe kanunet e tyre.
Ajo çka mund të them unë është kjo: patrikana duhet të shpallë një ndjesë publike ndaj himariotëve se në fakt, në periudhën kur ata qëndronin ndaj Portës, patrikana flirtonte edhe në kurriz të tyre. Gjë që i detyroi ata t’i drejtohen Vatikanit dhe të bëjnë një modifikim në besimin e tyre, të mbeten ortodoksë të afërt me ritin katolik”, tha Berisha.
Kreu demokrat theksoi se Mitsotakis mund të vizitojë ccdo zonë, por Himara është shqiptare, dhe kjo sipas Berishës, është realitet i pamohueshëm.
“Pra, në këtë kontekst, kryeministri i Greqisë mund të vizitojë çdo zonë, por Himara me të gjithë historinë dhe dokumentet e saj është shqiptare, përfshi edhe ato fshatra që janë bilingualë. Flasin edhe shqip, edhe greqisht”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




