Avokati i Popullit/ Gjiknuri: Kandidati i opozitës, i politizuar! Zgjatim juridik i PD

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, e konsideroi të politizuar kandidatin e opozitës për Avokatin e Popullit, Ledio Braho, duke theksuar se ishte pikërisht kjo arsyeja se përse maxhoranca nuk e mbështeti.
Në një komunikim me gazetarët, Gjinkuri tha se Braho, sipas tij është si një “zgjatim juridik” i Partisë Demokratike, duke shtuar se opozita duhet të sjellë propozime të tjera, jo të politizuar, që të jenë të pranueshëm edhe për Partinë Socialiste.
“Është një spekulim që ka patur një Pazar apo përpjekje për të bërë një këmbim të votave për kandidatin për Gjykatë Kushtetuese me Avokatin e Popullit. Nuk ka patur asnjë përpjekje për të bërë vota të një shumice të cilësuar në këmbim të dhënies së aprovimit për Avokatin e Popullit. Sa i përket emrit, Avokati i Popullit presupozohet një figurë konsensuale jo politike. U gjykua nga diskutimet që u bënë, emri në fjalë është shumë i politizuar dhe është si një zgjatim i PD dhe ashtu do kthehej edhe pozicioni i tij si Avokati i Popullit. Do ketë një dialogim të dytë, thirrje të hapur dhe natyrisht kandidati duhet të ketë pëlqimin e opozitës, por të jetë edhe i pranueshëm për ne. Duhet gjetur një emër i përshtatshëm. Ne duhet të eksplorojmë rrugë të tjera për të gjetur emra të pëlqyeshëm edhe për opozitën”, tha Gjiknuri.
Votimi për Avokatin e Popullit solli jo pak debate në seancën e të enjtes në Kuvend, teksa asnjë kandidat nuk mundi të merrte 84 votat e nevojshme. Për pasojë, zgjedhja e Avokatit të Popullit u shty për në seancën e radhës, pas festave të fundvitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



