Begaj takon përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës: Garantimi i votës, e vetmja mënyrë për të siguruar pjesëmarrjen aktive

Presidenti Bajram Begaj ka mirëpritur përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës me të cilin ka diskutuar lidhur me votën e diasporës. Begajn vuri theksin te garantimi i votës së diasporës si të vetmen mënyrë për sigurimin e pjesëmarrjes aktive në jetën e kombit.
Presidenti ka vlerësuar kontributin e diasporës shqiptare në botë në zhvillimin e Shqipërisë dhe e ka nxitur për angazhim të vazhdueshëm dhe aktiv në hartimin e politikave publike të rëndësishme për zhvillimin e kombit.
“Diaspora, ndërsa është pjesë aktive e shoqërive në vendet pritëse, është gjithashtu pjesë e pandarë e kombit tonë, zhvillohet bashkë me ne dhe nxit përparim në shumë fusha të jetës. Fuqizimi i saj, mbështetja dhe nxitja e pjesëmarrjes aktive të saj në politikat e zhvillimit, sjell jo vetëm përfitim të jashtëzakonshëm për shoqërinë, por edhe ruajtjen dhe forcimin e lidhjeve organike mes nesh. Garantimi i votës së diasporës është e vetmja mënyrë për të siguruar pjesëmarrjen e saj aktive në jetën e kombit si dhe për të përfituar perspektivën, përvojën dhe këndvështrimin e saj në hapat e ardhshëm që synojnë përparimin e vendit.
Mirëprita sot përfaqësuesit e Këshillit Koordinues të Diasporës dhe diskutova me ta për votën e diasporës dhe shtimin e pranisë së tyre në shoqëri, por edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me përfaqësimin e interesave të shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendi.
Vlerësoj shumë kontributin e diasporës shqiptare kudo ndodhet në botë në zhvillimin e Shqipërisë dhe nxis atë të angazhohet vazhdimisht, në mënyrë domethënëse dhe sa më aktive në hartimin e politikave publike, duke sjellë praktikat më të mira si dhe një perspektivë ndryshe, por shumë të rëndësishme në zhvillimin e kombit. Mbështetja e mësimit të gjuhës shqipe, njohja dhe përhapja e kulturës kombëtare si dhe mbështetja e aktiviteteve që mbrojnë identitetin kombëtar janë elementë shumë të rëndësishëm dhe si të tillë meritojnë të gjithë mbështetjen dhe vëmendjen tonë, sidomos të institucioneve. Përpjekja për të mbajtur gjallë gjuhën amtare, kulturën, traditat dhe vlerat më të mira i shërben ruajtjes së identitetit tonë kombëtar dhe duhet të nxitet e të mbështetet maksimalisht”, shkruan Begaj në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




