Integrimi/ Ambasadorja Hohmann thirrje politikës: Bëhuni bashkë për t’u anëtarësuar në BE

“Shqipëria ka përpara një rrugë plot sfida deri në anëtarësimin e plotë në familjen e madhe evropiane”, kështu ka deklaruar, Ambasadorja e BE në Shqipëri, Christiane Hohmann, ndërsa mori pjesë në konferencën “Roli i Kuvendit në integrimin evropian të Shqipërisë”. Hohmann i bëri thirrje politikës, por edhe shoqërisë civile që të bëhen bashkë me qëllim anëtarësimin në BE.
“Shqipëria ka marrë një hap të madh drejt rrugëtimit, me çeljen e negociatave. Unë shpesh kam theksuar se negociatat për në BE janë shumë më shumë se një proces teknik. Kjo është një fazë që kërkon udhëheqje të fortë politike dhe mobilizim për të vijuar me reforma, që janë edhe të vështira por duhen për të plotësuar kriteret në BE. Mirëpres qëllimin që ka Kuvendi që të punohet në këtë proces dhe rolin e madh që mund të luajë në të. Ka shumë e shumë pyetje dhe çështje për të cilat mund të flasë Kuvendi, për shembull si mundet Kuvendi që të përmbushë rolin e vet qendror për të ndërtuar konsensus në të gjithë vendin dhe me të gjithë partitë politike në këtë proces të anëtarësimit në BE. E dyta si do të ketë mundësi Kuvendi që të përmirësojë kapacitetet e veta për të marrë ekspertizën e duhur për të harmonizuar legjislacionin e Shqipërisë me atë të BE-së”, tha Hohmann.
Shqipëria ka hapur me 19 korrik zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në Bruksel u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, një “gurë themeli” në rrugën e vendit drejt anëtarësimit të plotë në Union.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




