Përzgjedhja e kandidatëve për kryetar bashkie, Balla: Proces i hapur, do vlerësohen nga zgjedhësit përmes sondazheve

Politikë | 4 vite më parë

Përzgjedhja e kandidatëve të Partisë Socialiste për kryetar bashkie për zgjedhjet e 14 majit është një proces si hapur për këdo. Kështu deklaroi Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla nga Patosi, ku u shpreh se thelbi i procesit të përzgjedhjes së kandidatëve është marrja e mendimit dhe vlerësimit të zgjedhësve. Për këtë arsye, Balla tha se PS do të përdorë sondazhet për vlerësimin e kandidatëve.

“Partia Socialiste si në çdo zgjedhje hyn vetëm me një objektiv: fitoren dhe vijimin e punës në çdo bashki. Sa i përket procesit përzgjedhës të kandidatëve për kryetar bashkie ai është gjithmonë një proces i hapur për këdo, ku marrja e mendimit/vlerësimit si brenda nesh, por mbi të gjitha të zgjedhësve është themeli i këtij procesi. Ne do të përdorim sondazhet jo vetëm për vlerësimin e kandidatëve tanë, jo vetëm për të marrë mendimin e të gjithë zgjedhësve pa asnjë dallim, por duam që përmes këtij instrumenti sociologjik të pagabueshëm të marrim më shumë të dhëna të tjera, të dobishme në hartimin e politikave vendore dhe qendrore”, tha Balla.

Ai shtoi se synimi i PS-së është që këshillat bashkiakë të jenë më efektivë, më të hapur dhe më transparentë për qytetarët. Balla shtoi se gjatë muajve janar dhe shkurt në Fier, Lushnje, Divjakë, Mallakastër, Patos dhe Roskovec, PS të zhvillojë një proces të gjerë konsultimi me banorët dhe komunitetet për përfaqësimin në kuvendet vendore.

“Ne do të ndërmarrim një ndryshim rrënjësor të përbërjes dhe për pasojë të rolit të këshillave bashkiakë, ose siç duhet të jenë. Ne duam që këshillat bashkiakë të jenë tërësisht të ndryshme dhe efektive nga sa kanë qenë deri më sot: të hapura dhe transparentë për qytetarët, të jenë kuvende vendore të komuniteteve lokale jo sallat e mbyllura me anëtarë që nuk i njeh as lagjja e tyre. Prandaj gjatë muajit Janar dhe Shkurt në Fier, Lushnje, Divjakë, Mallakastër, Patos dhe Roskovec ne do të zhvillojmë një proces shumë të gjerë konsultimi me banorët dhe komunitetet për përfaqësimin në kuvendet vendore. Ne duam sa më shumë të profesionistë të rinj të dëgjohen në këshillat bashkiakë, ne duam një shpërndarje dhe mbulim me përfaqësim të të gjithë bashkisë në kuvendin vendor, ne duam që ekspertiza më e mirë ekonomike, juridike, bujqësore, arsimore, shëndetësore etj., të përfaqësohet në këto këshilla më 14 Maj 2023”, theksoi Balla.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme