Zgjedhja e Dumanit në krye të SPAK, Rithemelimi: S’është institucion i pavarur, por thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste

Komisioni i Rithemelimit ka reaguar pas zgjedhjes së Altin Dumanit si drejtuesi i ardhshëm i Prokurorisë së Posaçme, duke e konsideruar procesin të pabesueshëm dhe të njollosur që në nisje.
Nëpërmjet një njoftimi për mediat, Komisioni i Rithemelimit, teksa pretendon për përplasje mes ambasadores së SHBA, Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama, shkruan se drejtësia është e kapur.
Sipas tyre, SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, “të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare”.
“Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK u njollos që në nisje të saj dhe si i tillë është i pabesueshëm. Përplasja për drejtuesin e SPAK mes Yuri Kim dhe Edi Ramës nuk është shenjë se drejtësia është e pavarur, por se ajo është kapur. SPAK ka patur mjaftueshëm kohë për t’i dhënë prova publikut të kundërtën duke konsumuar mandatin e një drejtuesi. Prej krijimit të saj SPAK ka patur në dorë dhjetëra skandale, të cilat ose janë hetuar nga bishti ose nuk janë prekur fare. Një ‘pallat drejtësie’ në korridoret e të cilit shkon për të bërë ekskursione dhe për të dhënë direktiva kryeministri dhe një ambasadore që bën rolin e guvernatores, nuk është as i pavarur, as i lirë dhe as i ndarë nga pushteti ekzekutiv, siç e kërkon një demokraci normale dhe funksionale. Me këto fakte të pakundërshtueshme, SPAK është thjeshtë një seksion i Partisë Socialiste. Kujtojmë se SPAK nisi punën para 2 vitesh duke shpallur moskompetencën për dosjet famkeqe të blerjes së votave nga qeveritarët e lidhur me krimin ato 184 dhe 339 të cilat më pas ia përcolli Prokurorisë së Dibrës. SPAK nuk hetoi krimin zgjedhor, i cili ne 9 vitet e fundit ka përcaktuar strukturën e shtetit. Me këtë akt SPAK dëshmoi se është vetëm një bisht i diskretituar i qeverisë. SPAK po përdoret në mënyrë antiligjore, anikushtetuese për gjah ndaj opozitës dhe shënon kapjen dhe dështimin e plotë të reformës sorosiane të drejtësisë në Shqipëri”, thuhet në reagim .
Altin Dumani u zgjodh këtë të premte si kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit, ndërsa u zgjodh zgjedhur me 5 vota pro nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, proces që është përshëndetur nga SHBA dhe BE.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




