Dy familje vendosen në banesat e reja të rindërtuara te “5 Maji”, Veliaj: Mos u përdorni nga politika

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka vizituar dy prej familjeve, të cilat lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar te lagjja e re te “5 Maji”. 

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Veliaj falenderon për mirëkuptimin edhe 30 familjet e tjera të të njëjti pallat, të cilat tashmë janë zhvendosur në apartamentet e reja.

“Zemra mal për familjen e bukur të Bujarit, Halimes, Erjonit, Erionës dhe Asjan e vogël  , si dhe për çiftin e të moshuarve Jonuz dhe Drita Zhuta, të cilët lanë shtëpitë e tyre të dëmtuara rëndë nga tërmeti në Pallatin nr. 4 në rr. “Myslym Keta”, dhe prej një viti janë sistemuar për bukuri te lagjja e re te “5 Maji”. U jam shumë mirënjohës edhe 30 familjeve të tjera, nga po i njëjti pallat, që kanë pranuar marrëveshjen me bashkinë dhe tani janë sistemuar në apartamentet e reja  , të projektuara nga arkitekti Stefano Boeri”, thotë Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj i bën thirrje edhe 14 familjeve të mbetura në pallatin e dëmtuar rëndë nga tërmeti, që të mos përdoren nga politika sikurse ju ndodhi familjeve tek Astiri, por të pranojnë të futen në banesat e reja.

“Për 14 familjet e mbetura, thirrja është: mos u përdorni nga politika që ju shfrytëzoi edhe te Lodrat, dhe tek Astiri, dhe te Teatri, dhe te Bulevardi. Ejani merrni shtëpitë e reja e jetoni të sigurt, se këta të Gjirit të Lalzit i kanë zgjidhur hallet e tyre”, thekson Veliaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme