Mbarimi i mandatit të ambasadores Yuri Kim, Rama: Kanë nisur procedurat, s’është thyer asnjë etikë

Ambasadores së SHBA, Yuri Kim, po i mbaron mandati, megjithatë ajo konfirmoi se do të qëndrojë pak më gjatë në Shqipëri, për të ndjekur vijimësinë e reformave me rëndësi për vendin. Kryeministri Edi Rama theksoi se nuk ka asnjë thyerje të etikës në lidhje me këtë çështje, teksa theksoi se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Nuk është thyer asnjë etikë dhe procesi për zëvendësimin e ambasadores ka nisur. Nuk kemi nisur ne procesin, por Departamenti i Shtetit si për të gjithë ambasadorët e SHBA”, tha Rama.
Në një deklaratë për mediat nga selia e PS, i pyetur nëse ka një “krisje” të marrëdhënies së tij dhe ambasadores Kim, kryeministri theksoi se marrëdhëniet e tyre janë më të forta se kurrë.
“Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, nuk ka asnjë problem. Kemi pasur dje një takim të gjatë konstruktiv e miqësorë. Kush e shpreson krisjen, gabon”, u shpreh kreu i qeverisë.
Ministria e Jashtme njoftoi më 8 dhjetor se kanë nisur procedurat për zëvendësimin e ambasadores së SHBA në vendin tonë, Yuri Kim.
Rama u ndal edhe te marrëveshja me Britaninë e Madhe për emigrantët e jashtëligjshëm, ku tha se një gjë e tillë ishte kërkuar nga vetë ai edhe më parë. Kreu i qeverisë theksoi se gjatë bisedimeve me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, ky i fundit i ka shprehur keqardhjen që komuniteti shqiptar në Britani është vendosur “nën dritë të gabuar”.
“Sa herë kanë ardhur dhe kanë ndarë me ne këtë shqetësim, unë kam qenë konsistent që mos flisni për krim shqiptar sepse nuk ekziston, krimi nuk ka etni, Nëse keni problem dhe doni ndihmën tonë sepse jemi zgjedhur për të qeverisur Shqipërinë, jemi gati të ngremë një skuadër speciale siç e kemi bërë me vendet e tjera, e cila të merret 24 orë në kohë reale për identifikimin, penetrimin, ndarjen e informacionit dhe në fund ndalimin e atyre elementëve që organizojnë këto rrjete të trafikut klandestin. Pata një bisedë goxha përmbajtjesore me kryeministrin e fundit dhe ai ka marrë përsipër ta shty përpara. Kemi bërë një dakordësi. E rëndësishme është që kryeministri britanik më ka shprehur keqardhjen për çka ka ndodhur. Fatkeqësisht komuniteti shqiptar është vendosur në një dritë të gabuar”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




