Zvarritja e gjykatave për logon dhe vulën e PD, Oerd Bylykbashi: Akt i rrezikshëm politik që zhbën pluralizmin

Nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi, akuzoi kryetarin e gjykatës së Tiranës se është i përfshirë në “lojë politike” për të penguar regjistrimin e vendimit të gjykatës që njeh të ligjshëm Kuvendin e 11 Dhjetorit 2021 dhe vendimet e tij.
Për emisionin “Pa Censurë”, Bylykbashi tha se mosregjistrimi i vendimit, është shkelje “flagrante” e ligjit.
“Mosregjistrimi i vendimit është shkelje flagrante e ligjit që bëhet me porosi të kryetarit të Gjykatës së Tiranës. Ai s’e ka bërë këtë për zgjedhjen e Lulzim Bashës, i njëjtë me atë për 11 dhjetorin. Ky për Bashën u regjistrua, megjithëse kishte një padi në gjykatë për pavlefshmërinë e zgjedhjes së Bashës nga rivalja, Edit Harxhi. Pra, edhe pse ky vendim është i ankuar, ai është i regjistruar. Pra, sjellja është qartazi politike”, tha zoti Bylykbashi.
Për nënkryetarin demokrat, Gjykata e Apelit po sillet “si vegël e qeverisë” duke mos caktuar akoma asnjë datë për shqyrtimin e padisë së PD, teksa shtoi se, sipas tij, kjo po sjell pasoja për vendin pasi po pengon partinë më të madhe opozitare për veprimatarinë e saj zgjedhore.
“Pra, që nga 25 marsi, kur është marrë vendimi në shkallë të parë, në mënyrë politike, nën presion politik, gjykata nuk vepron. Nuk vepron duke i zënë rrugën proceseve demokratike, kur kemi hyrë në një proces zgjedhor ligjor. Janë afate të cilat ecin dhe gjykata po bëhet masha e qeverisë në këtë moment. Kemi një gjykatë që po përdoret për të bllokuar të drejtën e dhjetëra mijëra demokratëve qe kanë zgjedhur kandidatët e tyre për të garuar. Duke mos u shprehur, gjykata po bën një lojë politike duke bllokuar të drejtën e partisë më të madhe në opozitë për të hyrë në zgjedhje me logon e saj. Për herë të parë në 32 vite pengohet një parti që të hyjë në një garë zgjedhore. Po flasim për goditjen më të rëndë që i bëhet pluralizmit në Shqipëri në 32 vite. Nuk është më në rrezik pluralizmi politik demokratik. Jemi përpara goditjes për ta zhbërë pluralizmin, që është baza për garantimin e çdo të drejtë”, u shpreh nënkryetari i PD, Oerd Bylykbashi për emisionin “Pa Censurë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




