Amendimi i kontratës me Pfizer, Manastirliu: Na garantoi sigurimin e 700 mijë vaksinave të COVID-19

Në Kuvend është diskutuar amendimi i kontratës me kompaninë Pfizer, për vaksinat e reja anti-Covid. Sipas ministres së shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, falë këtij ndryshimi është bërë e mundur që të mbërrijnë në vendin tonë dozat e vaksinave, të cilat përfshijnë 9 variantet e reja të Covid19.
“Amendimi i kontratës me kompaninë Pfizer BioNTech na garantoi sigurimin e 700 mijë vaksinave të COVID-19, të adaptuara sipas 9 varianteve, të cilat janë të përshtatura si doza përforcuese “booster” bivalente, duke përfshirë variantin BA.1 si edhe ato BA.4/ BA.5, si edhe dozat e vaksinave të përshtatura për fëmijët, të cilat tashmë kanë mbërritur dhe kanë filluar jo vetëm me administrimin por edhe po aplikohen”, tha Ministrja.
Duke folur për programin kombëtar të vaksinimit në këtë sezon, Manastirliu u shpreh se ka një ecuri mjaft të mirë të vaksinës së gripit për grupet vulnerabël.
“Në përputhje me rekomandimet e OBSH dhe të ekspertëve të tjerë ndërkombëtarë, kemi garantuar dhe po bëjmë të mundur edhe vaksinimin edhe ndaj gripit. Ky vaksinim është falas për mbi 230 mijë qytetarë dhe është një mekanizëm për të forcuar mbrojtjen ndaj viruseve për përballimin e sezonit të dimrit. Rezulton se deri më sot 196 mijë qytetarë janë vaksinuar kundër gripit stinor”, u shpreh Manastirliu.
Në Shqipëri mbulesa vaksinale kundër Covid përsa i takon grupeve të riskut si personeli shëndetësor apo të moshuarit në qendrat rezidenciale është mbi 90%. Ndërsa për grupmoshat mbi 60 vjeç dhe 70 vjeç, mbulesa vaksinale është mbi 70%. Që nga fillimi i procesit të vaksinimit kanë mbërritur mbi 4.1 milionë doza vaksine ndaj covid-19 dhe janë kryer mbi 3 milion e 15 mijë doza vaksina.
/rtsh/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




