32 vite nga themelimi, PD feston e ndarë! Berisha uron në rrjete sociale, Alibeaj festë me të tijtë

32-vjetori i themelimit e ka gjetur të ndarë Partinë Demokratike, ku sot festimet organizohen në dy kampe, një i drejtuar nga Sali Berisha dhe tjetri nga Enkelejd Alibeaj.
Kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, ka zgjedhur rrjetin social Facebook për të përçuar një mesazh urimi për demokratët, ndërsa festimet nga “kampi” i tij do të zhvillohen pasdite.
“Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike! Gëzuar 32 vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike njëherazi dhe pluralizmit politik në Shqipëri”, shkruan Berisha.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka mbledhur në një takim festiv mbështetësit e tij, ndërsa në fjalën e mbajtur nuk la pa “thumbuar” edhe Berishën. Duke vënë theksin tek parimet mbi të cilat u krijua PD, Alibeaj tha se duhen ndaluar përpjekjet për ta kthyer partinë më të madhe opozitare në vend “nga një institucion i Perëndimit, në një repart sulmesh kundër Perëndimit”.
“Do mbetemi partia e vlerave anti-komuniste. Jemi njerëz të lirë e ti themi gjërat siç janë, Çdo tradhti çdo largim nga këto vlerave është një tradhti ndaj demokratëve dhe PD-së, këtë duhet ta themi fort. Çdo përpjekje për të vendosur interesa personale që deformojnë identitetin e PD-së duke e kthyer atë nga një institucion i perëndimit për ta kthyer në një repart sulmesh kundër Perëndimit është një moment që duhet ta kthejmë. Duhet të bëjmë sakrificën sublime secili prej nesh. Askush nuk duhet të ndihet i joshur për të bërë negociata me këto vlera. Mendësia komuniste duhet të ishte larguar”, u shpreh Aliebaj.
Përçarja në Partinë Demokratike nisi pasi ish-kreu Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar demokrat, vendim i diktuar nga shpallja e ish-kryeministrit “non grata” nga SHBA. Vendimi nuk u prit mirë nga Berisha, i cili nisi sulmet ndaj Bashës, ndërsa përçarja u vulos me thirrjen e dy Kuvendeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




