Nis me tensione seanca në Kuvend, Berisha dhe deputetët demokratë “zaptojnë” foltoren! Ndërpritet 5 minuta seanca

Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, pas diskutimeve në lidhje me kohën e opozitës për të folur në Kuvend. Kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, kërkoi të merrte fjalën për të replikuar me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjë që nuk u lejua nga Kryetarja e Kuvendit, duke argumentuar se nuk e lejonte rregullorja.
Berisha dhe Balla kishin prezantuar secili argumentet pro dhe kundër, por ish-kryeministri kërkoi të fliste sërish, duke u ngjitur në foltore, ndërsa iu bashkuan edhe deputetë të PD.
Pavarësisht kërkesave të kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla për të liruar foltoren dhe për të vijuar normalisht me seancën plenare, Berisha dhe deputetët e tij nuk iu përgjigjën, duke bërë që Nikolla të ndërpriste për 5 minuta seancën.
“Po si jepet fjala për replikë? Mos bëni viktimën kot, jemi në zbatim të rregullores. Dha argumentat pro dhe kundër, e hodhëm në votim. Nuk mund të merrni seancën peng. Zoti Berisha ju tërheq vëmendjen për të liruar foltoren. 5 minuta pushim për të liruar foltoren”, tha Nikolla.
Pas rifillimit të seancës, Berisha mori fjalën në foltore, nga ku hodhi akuza në drejtim të qeverisë për “aferë” në lidhje me projektin e Portit të Durrësit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




