Projekti për Portin e Durrësit, PD- PL letër Nikollës: Debati në Kuvend të jetë pa kufizim, minimumi 10 min për çdo deputet

Deputetët e “Rithemelimit” të PD-së dhe Partisë së Lirisë, nëpërmjet një shkrese i kërkojnë kryeparlamentares, Lindita Nikolla, që në debatin në Kuvend për Projektin e Portit të Durrësit, çdo deputeti t’i jepet fjala deri në 10 minuta.
Konferenca e Kryetarëve, pak ditë më parë vendosi që seanca e debatit për këtë çështje të jetë 6 orë. Por deputetët e opozitës mendojnë se kjo kohë është mjaft e limituar pasi, sipas tyre, në bazë të përllogaritjeve i bie që për çdo deputet është planifikuar një kohë prej 2 minutash.
“Porti i Durrësit është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë. Me pozitën gjeografike, ky Port është i rëndësie strategjike jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Bashkimi Evropian, përmes Komunitetit të Transportit, ka vlerësuar së fundmi, se Porti i Durrësit në Shqipëri dhe Porti i Tivarit në Malin e Zi, kanë rëndësi strategjike për transportin detar në rajon, pasi e lidhin atë me rrjetin kryesor evropian të transportit. Duke qenë e një rëndësie të tille, përtej faktit që nuk ka asnjë emergjencë kombëtare për ta kaluar në mënyrë të përshpejtuar, në asnjë mënyrë nuk mund të çmohet shkurtimi i kohës së diskutimit, duke përdorur Nenin 48, Pika 3, që është përjashtim kufizues”,- thuhet në letrën që deputetët e opozitës i kanë dërguar Nikollës.
Sipas tyre, është i nevojshëm një debat i plotë publik, duke i mundësuar çdo deputeti të shprehet në lidhje me këtë çështje të një rëndësie kombëtare.
“Ndaj, bazuar në Nenin 48 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë ndryshimin e rendit të ditës së seancës plenare ku të hiqet limiti kohor prej 6 orësh në pikën 4 të Rendit të ditës dhe se çdo deputeti t’i jepet e drejta të flasë 10 minuta në lidhje me këtë çështje, siç Rregullorja e Kuvendit përcakton.”- thuhet në shkresë.


/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




