Berisha thirri protestë më 6 dhjetor, PS: Turp, protestë kundër BE! Tradhtar që i shërben lojës së Putin

Partia Socialiste ka reaguar ashpër pasi kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha njoftoi se do të mbajë me 6 dhjetor protestën e radhës kundër qeverisë, ditë kur do të zhvillohet në Tiranë edhe Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në një postim në Twitter, e konsideron protestën si ngritje kundër Bashkimit Europian, ndërsa Berishën e quan “tradhtar” që punon për “planet” e Presidentit rus, Vladimir Putin.
“Turpi i Shqipërisë ka emër! Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut. Këtë rregull kurrë nuk e ka shkel kush në Shqipëri. Ne kemi shkruar historinë tonë me kodin tonë të mikpritjes. Por tradhtari dhe turpi i çdo vlere shqiptare Sali Berisha do të presë në besë shqiptarët më datë 6 Dhjetor 2022, duke thyer çdo normë, me kanun e kode shqiptari. Nuk e ka herën e parë që e bën. Sali Berisha thërret protestë kundër Samitit BE-Ballkani Perëndimor, thërret njerëzit e tij të turpërojnë Shqipërinë. Sali Berisha thërret protestë në ditën e dasmës më të bukur të ribashkimit me Europën. A ka ndokush më pikëpyetje për kë punon Sali Berisha?! O vëllezër e motra ky tradhtar ka thirr protestë kundër Bashkimit Europian. Ky tradhtar po i shërben lojës së Vladimir Putinit kundër Bashkimit Europian”, shkruan Balla në Facebook.
Caktimin e protestës në të njëjtën datë kur në Tiranë do të vijnë drejtuesit e lartë të shteteve të BE, e dënoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, duke thënë se nuk i shërben vendit.
“Deklaruan sot që do bëjnë protestë meqenëse vijnë kryeministrat e Bashkimit Europian në Shqipëri. Çfarë është kjo, dashuri për vendin? Për të mirën e vendit?! Përkundrazi. E pra këta janë, ata që flasin në emër të vendit nuk bëjnë as respektin minimal që i takon këtij kombi aq më tepër kur bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë dhe për të mirën e zhvillimit të Shqipërisë. Dhe këta njerëz tani do dalin, do vijnë nëpër fushata elektorale, do sjellin dhe personazhe të reja, do kërkojnë dhe vota”, tha Gjiknuri.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, shkruan se Berisha, sipas tij, kërkon të turpërojë Shqipërinë.
“Vetëm një antishqiptar si Sali Berisha, që i do të keqen këtij vendi nga dëshpërimi i non gratës dhe i rublave ruse që i dolën sheshit, kërkon të turpërojë Shqipërinë më 6 dhjetor, ditën kur Tirana mirëpret për herë të parë Samitin e Bashkimit Europian me vendet e Ballkanit Perëndimor. Në grahmat e fundit politike të tij, ky njeri nuk le rast pa tentuar për t’i bërë një tjetër të zezë Shqipërisë, fiks si të ishte një Konsull famëkeq i Vladimir Putinit. Jam i bindur se edhe mbështetësit e Partisë Demokratike, të cilët mund të kenë shumë arsye për të qenë opozitarë me qeverinë, do ta braktisin Sali Berishën në aktin e tij të radhës për t’i lënë Shqipërisë një tjetër damkë turpi në sytë e gjithë botës. Sigurisht që Tirana atë ditë do jetë kryeqyteti më i sigurt, më miqësor dhe më mikpritës i Europës”, thotë Çuçi.
Me të njëjtën gjuhë reagoi edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili e konsideroi vendimin e Berishës si tradhti ndaj demokratëve.
“Nëse dikush kish dyshime se kush bën punën e rusëve në Shqipëri, ja ku e ka provën: proteste alla-Berisha kur Europa mblidhet në Tiranë! Sa turp! Çfarë mjerimi! E çfarë diskreditimi epik e tradhtie ndaj demokratëve e ndaj sloganit “E duam Shqipërinë si gjithë Europa“, thekson Veliaj.
Në mbledhjen e Kryesisë këtë të premte, Berisha njoftoi mbajtjen e protestës më 6 dhjetor, ndërsa argumentoi se zgjodhën këtë ditë me qëllimin që Evropa të kuptojë problemet reale të shqiptarëve, sipas tij. Ai theksoi se protesta do të jetë paqësore kundër qeverisjes aktuale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




