Rama: Shefi i PL-së, që ka njohuri për fshehjen e emrave dhe lekëve, përgojon dikë që ka ndërtuar gjysmën e Dubait

Politikë | 4 vite më parë

Akuzave të kryetarit të PL-së, Ilir Meta, sipas të cilit, kryeministri Edi Rama, “për ndërtimet në Portin e Durrësit zgjodhi kompani guackë me pronarë të fshehur”, kreu i qeverisë i është përgjigjur nëpërmjet një postimi në Twitter ku shprehet se “shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit, deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht!”.

Sipas Ramës, Meta po përgojon një kompani që ka ndërtuar gjysmën e Dubait, duke e ironizuar madje për ndryshimin e emrit të partisë nga LSI në Partia e Lirisë.

“S’di pse kam ndjesinë që ky shefi i PL (Partisë së Lekut) ka aq shumë njohuri të fshehura për fshehjen e emrave e lekëve, sa nuk i shmanget dot përgojimit deri edhe të dikujt me emër, mbiemër, kapitale e vepra të njohura dhe të respektuara botërisht! Ai që do të ndërtojë Portin Turistik të Durrësit, ka ndërtuar gjysmën e Dubait, kurse ky që e përgojon ka ndërtuar vetëm dy parti, njëra sapo ka ikur për skrap tjetra sapo ka ardhur për lekë! Kam edhe një ndjesi tjetër: Më duket se kjo tjetra do na lerë shumë më shpejt se e para!” -shkruan Rama në Twitter.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme