Berisha: Shqipëria i përmbush nevojat për energji, po qeveria luan bixhoz me të! Po shpopullohemi më shpejt se vendet në luftë civile

Kriza energjetike, shpopullimi i vendit, udhëtimet e kryeministrit dhe akuzat ndaj qeverisë kanë qenë në fokus të bisedës mes Sali Berishës me aleatët e tij, me të cilët ka krijuar Frontin e Shpëtimit Kombëtar.
Për krizën energjetike Berisha fajëson qeverinë pasi sipas tij Shqipëria i ka kapacitetet me rezerva ujore që të përmbush nevojat e saj, por kjo nuk ndodh pasi “shqiptarët janë viktima të një bixhozi të tmerrshëm që qeveria loz me energjinë”.
‘Ju shikoni energjinë, se si ajo përdoret si një kamxhik dhe ndëshkim për shqiptarët dhe bizneset shqiptare, në një kohë kur për hir të së vërtetës, rezervat ujore kanë siguruar 100% të konsumit të energjisë. Shqiptarët janë viktimë e një bixhozi të tmerrshëm që qeveria loz me energjinë. Energjinë që prodhohet e shesin agjentëve të tyre me ¼ e çmimit që shitet në bursë dhe pastaj kjo rieksportohet me një çmim 4 herë më të lartë dhe ndahet me qeveritarët”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek largimi i të rinjve, Berisha tha se Shqipëria po shpopullohet më shpejt se vendet që janë në luftë civile.
“Kemi pushtuar lajmet e Europës dhe botës si populli i gomone dhe zhvillohet një dramë shekspiriane në kanalin e La Manshit, ku mijëra shqiptarë largohen për shkak të qëndrimeve, politikave, jo humane, antishqiptare të Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ky shpopullim i shpejtë, marramendës i vendit, tejkalon ritmet e shpopullimeve nga luftërat civile apo katastrofat e tjera natyrore”, tha ai.
Udhëtimet e Ramës jashtë vendit kanë qenë sërish në fokus të sulmeve të Berishës, i cili tha se ai është kryeministri më i kushtueshëm në Europë.
“Kryeministri shëtit me avion taksi me dhomë gjumi në të katër anët e globit, duke u bërë kështu kryeministri më i kushtueshëm në Europë, me një faturë prej 22 milionë eurosh, për fluturimet e tij me charter”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




