Primaret/ Meta: Kandidatët për Tiranën, më të fortë se Veliaj! Forcimi i opozitës, qëllimi kryesor

Politikë | 4 vite më parë

Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta gjatë një konference për shtyp, komentoi procesin e Primareve të Sali Berishës për Bashkinë Tiranë. Ndonëse nuk deklaroi asnjë emër si kandidature për kryetar të bashkisë së Tiranës, Meta bëri të ditur se do të ketë shumë emra të shquar dhe se i sheh më të fortë se kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj.

“Do të këtë shumë emra të shquar. Të gjithë janë të fortë.  Ai që do përzgjidhet në këtë proces do gëzojë përkrahjen tonë. Situata në Tiranë është katastrofë në të gjithë treguesit e qeverisjes vendore, shtoi asaj edhe gjithë kusuret e qeverisë qendrore, mungesën e transparencës dhe llogaridhënie zero që është sot në këtë nivel. Situata është shumë pozitive për opozitën, i ftoj kandidatët të përqendrohen te programi i tyre për t’ia rikthyer Tiranën qytetarëve dhe për të vendosur llogaridhënien në kryeqytetin e Shqipërisë”, tha Meta i cili theksoi se forcimi i opozitës është qëllimi kryesor.

Ndalur tek protesta që do të mbahet me 12 nëntor, Meta u shpreh kundër dhunës ndërsa shton se ka pritshmëri pozitive pasi sipas tij tashmë ka një opozitë të vërtetë. Meta shtoi se protestat do të vijojnë pasi ndryshimet do te vijnë përmes votës dhe protestave.

“Protesta e 12 nëntorit do të jetë një shkëlqim i qytetarisë së Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë. Përkundrazi qytetarët dalin kundër dhunës sistematike që bëhet nga qeveria Rama, paketës fiskalë, mbylljen e shkollave privat, kundër dhjetëfishimit të gjobave, kundër dhunës nga ana e kryeministrit, i cili çdo ditë vjedh sikurse është afera e Durrësit. Dhuna as ka qenë dhe as nuk është aleat i opozitës”, tha Meta.

Meta komentoi edhe dorëheqjen e Alfred Rushaj dhe Grida Duma, ndërsa tha se respekton vendimet e tyre.

Adriana Kalaja, Belind Këlliçi, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi, Gerti Bogdani, Ilir Alimehmeti dhe Jul Deda janë kandidatët që kanë deklaruar të garojnë në primaret e Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme