Begaj i përgjigjet sekretares së brendshme britanike: Shqiptarët janë integruar në Britani, s’mund të etiketohen si pushtues

Presidenti Bajram Begaj ka reaguar në lidhje me deklaratën e Sekretares së Brendshme britanike, Suella Braverman, e cila i konsideroi shqiptarët si pjesë e grupeve kriminale që duhet të dëbohen nga Britania e Madhe.
Nga Kukësi, Begaj tha se shqiptarët nuk mund të etiketohen si pushtues për faktin se ata janë integruar dhe kanë ndërtuar jetën e tyre duke punuar në mënyrë të rregullt dhe duke paguar taksa.
“Nuk jam dakord me deklaratat e bëra nga ministrja e brendshme, nuk mund të anatemohen dhe të etiketohen shqiptarët si pushtues për faktin që shqiptarët jetojnë e punojnë kudo në botë. Janë integruar në shumë vende të botës dhe në Britani kanë ndërtuar jetën e tyre duke punuar në mënyrë të rregullt dhe duke paguar taksa në mënyrë të rregullt. Nuk është e drejtë te bullizohen në këtë mënyrë. Natyrisht ka edhe elementë anësorë, të padëshiruar që mund të kenë lidhje me krimin, por këto nuk janë vetëm shqiptarë”, tha Begaj.
Sekretarja e Brendshme britanike, Suella Braverman, tha disa ditë më parë se Britania e Madhe po përballet me një dyndje të madhe emigrantësh nga Shqipëria duke kërkuar largimin e tyre. Gjithashtu në shkrimet e mediave britanike citohen shpesh autoritetet britanike sipas të cilëve aktiviteti i bandave kriminale shqiptare dërgon me qindra miliona paund të ardhura kriminale në Shqipëri çdo vit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




