Grida Duma lë mandatin e deputetes: Vendim i marrë pas një reflektimi të gjatë

Politikë | 4 vite më parë

Deputetja e PD-së, Grida Duma, ka hequr dorë nga mandati. Lajmin Duma e bëri me dije gjatë një deklaratë për mediat nga Kryesia e Kuvendit, ku tha se vendimi erdhi pas një reflektimi të gjatë.

Lënien e mandatit, Duma e konsideroi si “marrje përgjegjësie”, teksa shtoi se do të kishte qenë më e lehtë për të, që të qëndronte “si disa që presin skutave”, por zgjodhi të mos e bënte këtë.

“Moment i vështirë për mua dhe i rëndësishëm. Pak çaste më parë i kam dorëzuar zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit. Pas një reflektimi të gjatë dhe një përpjekje për të bërë të duhurën për partinë time, ky është në fakt vendimi i duhur. Nuk mund të zgjidhja më të thjeshtën dhe vetëm për veten time. Më e thjeshta do kishte qenë të kisha qëndruar, të prisja dështimet si disa, që presin skutave që t’u ndrinë prapë pazaret. Por unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë dhe as betejave”, u shpreh ajo.

Ndalur te Partia Demokratike, Duma tha se sot, para zgjedhjeve lokale, maksimizimi i kësaj force politke nuk ka ndodhur, duke theksuar se rruga e vetme është bashkimi dhe jo përçarja.

“Para dhe 6 marsit kam bërë gjithçka që PD të ishte krah SHBA-ve. Maksimizimi i forcës së PD s’ka ndodhur, rruga e vetme është bashkimi dhe jo copëtimi. Gjatë këtyre kohëve ajo që vijoji ishte një përpjekje e madhe për të mbajtur balancat, për të shmangur konfliktet, për të arsyetuar politikisht. Por sot, para zgjedhjeve lokale, maksimizimi i forcës së PD nuk ka ndodhur. Rruga e vetme për maksimizimin është bashkimi si kusht, jo përçarja”, theksoi Duma.

Duma është deputetja e dytë e PD që lë mandatin, ndërsa një ditë më parë Alfred Rushaj po ashtu dorëzoi mandatin e tij. Duma e mori mandatin në zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa ka qenë një nga zërat më aktivë të opozitës. Mandati i saj kalon Ori Nebiajt, e cila në zgjedhjet e 2021 siguroi 5599 vota preferenciale, por nuk dihet ende nëse moderatorja do ta pranojë mandatin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme