Ibrahimaj: Ulja e çmimit të naftës në bursë reflektohet menjëherë nga Bordi! E hapur për verifikimin e vendimeve

Politikë | 4 vite më parë

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, rrëzoi perceptimin se Bordi i Transparencës për Çmimin e Karburanteve nuk reflekton menjëherë uljen e çmimeve në treg. Në një intervistën për emisionin “Pa Censurë”, ajo i tha gazetares Elona Meço se Bordi mblidhet në kohën më të shpejtë të mundshme që nga momenti i uljes së çmimit në bursë, për ta reflektuar atë dhe në Shqipëri.

Ibrahimaj shprehu gatishmërinë që puna e saj në krye të Bordit të verifikohet nga kushdo, për të provuar se vendimet janë në interesin e publikut. Ministrja e Financave foli edhe për strategjinë e qeverisë shqiptare për të marrë pjesë në Eurobond gjatë vitit të ardhshëm, duke treguar kushtet në të cilat Shqipëria mund të kërkojë borxh në tregjet e huaja.

Pjesë nga intervista me Ministren e Financave, Delina Ibrahimaj

Elona Meço: Dhe sa kohë do të ekzistojë Bordi për Monitorimin e Karburanteve? Sepse kemi vënë re që kur ulet çmimi i naftës, ju nuk mblidheni menjëherë, që ky çmim të reflektohet këtu. Ndërsa kur rritet në bursa menjëherë rritet këtu.

Delina Ibrahimaj: Ky është perceptim, nuk është realitet. E kam thënë disa herë që jam shumë e hapur që si drejtuese e Bordit të Transparencës për Çmimin e Karburanteve që çdo ekip të vijë e të auditojë vendimet e Bordit dhe përmes këtyre vendimeve të kuptojë që kjo që thoni ju nuk është e vërtetë. Nëse do të bëni një analizë të ecurisë së mbledhjeve të Bordit, ka ndodhur e kundërta. Ajo që ju i referoheni për rritje apo rënie të çmimeve të bursave ndërkombëtare ka të bëjë me çmimet e bursave të naftës bruto dhe jo të naftës së rafinuar. Në analizat tona, sipas aktit normativ dhe kostos reale që paguhet nga tregtarët e naftës në vend, i referohemi  çmimeve të bursës Platss S&P, e cila ndiqet në mënyrë rigoroze. Në bazë të metodologjisë së përcaktuar në ligj ne përcaktojmë çmimin. Ju siguroj që koha e mbledhjes kur ka rënie të çmimit, që ndikohet jo vetëm nga bursa, por edhe nga kursi i këmbimit, i publikuar nga Banka e Shqipërisë, është shumë më e shkurtër kur çmimi bie sesa kur çmimi rritet.

Elona Meço: A ka nevojë Shqipëria të dalë në Eurobond këtë vit?

Delina Ibrahimaj: Ne kemi parashikuar që Shqipëria mund të dalë në Eurobond gjatë 2023, por kjo nuk është e vetmja alternativë e financimit të nevojshëm për vitin e ardhshëm. Kemi disa alternativa. Do të dalim në Eurobond vetëm nëse kushtet e tregut do të jenë mjaftueshme të pranueshme që Shqipëria të mos marrë një borxh tejet të shtrenjte. Pra do të hyjmë për të marrë Eurobond vetëm nëse kushtet do të jenë të favorshme që ne ta marrim atë. Ndryshe kemi alternativa të tjera financimi siç është një kredi nga Banka Botërore që po negociohet. Ka edhe 2- 3 alternativa të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme