Firma elektronike për bizneset me koncesion? Ibrahimaj: AKSHI i mbingarkuar, po analizohen opsionet

Qeveria po konsideron 2 vendime të rëndësishme për koncesionet, atë të markimit të karburanteve dhe një të ri për çelësin publik, i njohur si firma elektronike për bizneset. Vendimet nuk janë marrë akoma, por për koncesionin e ri të çelësave publikë duket se ka një orientim për ta dhënë me koncesion.
Aktualisht, ai është një shërbim që kryhet nga AKSHI, i futur për herë të parë me fiskalizimin dhe kushton 40 mijë lekë të vjetra në vit.
Ministrja e Financave shpjegoi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” se AKSHI ka mbingarkesë dhe e ka vonuar shërbimin disa herë, prandaj po analizohet nëse dhënia me koncesion është vendimi i duhur.
Pjesë nga intervista me Ministren e Financave, Delina Ibrahimaj në emisionin “Pa Censurë”
Elona Meço: Çfarë po ndodh që Ministria juaj nuk e ka publikuar ende raportin e monitorimit të koncesioneve?
Delina Ibrahimaj: Në fakt e kemi publikuar gjatë kësaj jave në faqen tonë zyrtare. Ka ardhur pak me vonesë, pasi ne jemi institucioni që mbledh informacione nga autoritetet kontraktore dhe plotësimi i raportit varet nga përgjigjet e institucioneve, të cilat kanë qenë të vonuara dhe kjo është arsyeja pse raporti ka dalë me vonesë.
Elona Meço: A është dakord Ministria e Financave për rinovimin e koncesionit të markimit të karburanteve, i cili përfundon pas pak muajsh?
Delina Ibrahimaj: Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka filluar procesin e daljes nga kontrata e koncesionit. Është një proces që ka hapat e veta. Është krijuar një grup pune me qëllim kryerjen e të gjithë procedurave për daljen nga koncesioni.
Elona Meço: Dhe jo për të rihyrë sërish në koncesion?
Delina Ibrahimaj: Për momentin jemi duke bërë procedurat për daljen nga koncesioni, të cilat janë procedura standarde, ku koncesionari duhet të dorëzojë të gjithë asetet dhe çfarë përmban kontrata.
Elona Meço: Si e vlerësoni ju, ky koncesion është më mirë të rrijë në shtet apo t‘i jepet një privati për ta punuar?
Delina Ibrahimaj: Janë duke u kryer analizat nga grupi i ekspertëve dhe në përfundim, grupi i ekspertëve do të dalë me një propozim për Ministrin e Financave dhe Ekonomisë për t’u marrë një vendim mbi formën që do të zhvillohet ky shërbim në të ardhmen.
Elona Meço: Ka edhe një grup pune tjetër për koncesionin e çelësave publikë, për t’ia hequr këtë procedurë AKSHI-t dhe për ta dhënë me koncesion. Ka një vendim për këtë?
Delina Ibrahimaj: Edhe aty grupi i punës po punon me qëllim që të hartojë dhe të miratojë studimin e fizibilitetit me qëllim që të dilet me një rezultat. Nuk ka ende një rezultat të grupit të punës, ku të ketë një propozim për këtë proces.
Elona Meço: Po çfarë nuk shkon që shërbimi t’i hiqet AKSHI-t për t’ia dhënë një privati?
Delina Ibrahimaj: Nga procesi i fiskalizimit po edhe në procesin të dixhitalizimit të çelësave publikë dhe të kërkesës medoemos për çështje sigurie, që çdo biznes të ketë nënshkrimin e vetë elektronik, që çdo biznes të ketë certifikatën e fiskalizimit, kjo është një punë dhe mbingarkesë për AKSHI-in që në fakt është institucioni që ofron shërbimet e IT për të gjithë qeverinë dhe administratën.
Elona Meço: Këtë 40 mijë lekësh (të vjetër në vit) nuk është më mirë ta marrë shteti sesa koncesionari?
Delina Ibrahimaj: Kërkesa e shtuar për çelësa publikë ka bërë që AKSHI të mos arrijë ta administrojë në kohën e duhur këtë proces dhe ka krijuar vonesa herë pas herë. Kjo është arsyeja, që për rritjen e efiçencës ne kemi menduar që këtë proces ta koncesionojmë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




