Deklaratat e Ramës për Britaninë për emigrantët, Meta: Kryeministër i papërgjegjshëm, provokon autoritetet britanike

Kritikat e kryeministrit Edi Rama ndaj Britanisë së Madhe lidhur me etiketimin dhe trajtimin e emigrantëve shqiptarë për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta janë deklarata të papërgjegjshme.
Duke e cilësuar Ramën si shkaktarin e shpopullimit të vendit, Meta thotë se ai nuk duhen të fajësojë dhe provokojë autoritetit britanike për këtë por të bashkëpunojë sa më shumë për trajtimin e emigrantëve me dinjitet.
“Partia e Lirisë është e angazhuar për të ndaluar shpopullimin dhe njëkohësisht për ti dhënë fund kësaj drame të madhe të vendit tonë, të shoqërisë sonë dhe çdo familje. Është e qartë se i vetmi që nuk dëshiron të kontribuoj në këtë drejtim, që është edhe shkaktari, kryeministri i papërgjegjshëm që fajëson autoritete britanike për një fenomen atë të shpopullimit. Mafia në pushtet është shkaktarja kryesore e humbjes së perspektivës së këtyre të rinjve. Ndërkohë që qeveria duhet të ulë kokën për këto pasoja tragjike që i ka shkaktuar vendit dhe të forcojë bashkëpunimin me autoritetet franceze. Të bashkëpunojë më autoritetet britanike që t’i trajtojë me dinjitet qytetarët tanë. Çdo provokim që qeveria jonë u bën autoriteteve britanike nuk e ndihmon trajtimin e qytetarëve shqiptarë”, tha Meta
Lidhur me ndryshimet në paketën fiskale, Meta tha se kjo qeveri vijon të godasë investitorët dhe të favorizojë monopolet. Ai tha se rritja e gjobave dhe taksimi i prodhuesve të energjisë dëmtojnë prodhimin vendas.
“Këtu në vend ky kryeministër i papërgjegjshëm vijon të godasë investitorët vendas. Është skandaloze që paketa fiskale për vitin e ardhshëm të shohësh masa si 10 fishimi i gjobave, tërësisht antikushtetues, po kështu në këto kushte papunësie dhe krize, heqja e akcizës së diferencuar për birrën, kundërvënie ndaj direktivës së BE, jo vetëm që godet prodhimin vendas, por rrezikon mbylljen e mijëra vendeve të punës. Ndërkohë që në këto kohë sfidash të energjisë kërcënimi i taksimit të prodhuesit privat të energjisë është absurd. Është me qëllim frikësimin e atyre që me të gjitha vështirësitë i kanë kursyer shoqërisë dhe shtetit me qindra milionë euro. Ia sheshin shtetit 7 herë energjinë elektrike më lirë se sa Edi Rama e importon nga jashtë. I gjithë ky korrupsion është më shumë se marramendës. Kemi edhe goditje ndaj lirisë së medias, sidomos kur ata pasqyrojnë me objektivitet korrupsionin e Qeverisë. Ndaj është koha që të gjithë bizneset e ndershme që ndihen të dhunuara nga kjo qeveri të reagojnë duke nisur nga 12 nëntori. Zgjidhja e vetme është largimi i menjëhershëm i Edi Ramës dhe bandës së Rilindjes”, tha Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




