Samiti BE-Ballkani Perëndimor, në Tiranë më 6 dhjetor, Rama: Tregues i respektit të fituar ndërkombëtarisht

Politikë | 4 vite më parë

Më 6 dhjetor, Shqipëria do të presë samitin e parë të BE me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë. Lajmi është bërë me dije nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan në një postim në Facebook, se Shqipërisë iu dha kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm, me propozim të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

“Sot Shqipërisë iu dha me propozim të kancelarit Scholz, kryesimi i Procesit të Berlinit dhe organizimi në Tiranë i Samitit të ardhshëm. Më 6 dhjetor në Shqipëri do të mbahet i pari Samit i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor në rajonin tonë”, shkruan Rama.

Besimin ndaj Shqipërisë për të organizuar ngjarje të tilla të mëdha, kryeministri Rama e lexon si shenjë respekti që vendi ynë ka fituar ndërkombëtarisht. Edhe njëherë Rama bën thirrje që të shmanget gjuha e urrejtjes dhe që Shqipëria të mos shahet në gjuhë të huaj, por të mbrohet e promovohet.  

“Këto ngjarje të mëdha ndërkombëtare të pandodhura kurrë më parë në Shqipëri, të paimagjinueshme deri disa kohë më parë për t’iu besuar një qeverie të Shqipërisë, janë domethënëse për shkallën e respektit që Shqipëria ka fituar ndërkombëtarisht. Ne mbetemi një vend i vogël, me hallet e problemet tona që duan kohën, durimin e punën tonë për t’u zgjidhur, por ne sot kemi fituar respekt duke u dhënë të gjithëve respekt, por edhe duke kërkuar respekt nga të gjithë. Lutem çdo ditë që të gjithë ne, shqiptarët, në radhë të parë ata që komunikojnë me botën, politikanë, gazetarë, artistë, sportistë e të tjerë, ta mësojmë nga popuj të tjerë pa humbur akoma kohë të pafundme, se Shqipëria është shtëpia jonë, që nuk shahet kurrë në gjuhë të huaj, por vetëm mbrohet e promovohet për njëmijë e një të mirat e saj. Ndërsa për të metat e mangësitë, dëmtimet e riparimet që ka nevojë, na del e tepron ta bëjmë në shqipen tonë të bukur dhe të pasur”, përfundon Rama postimin e tij.

Kreu i qeverisë shqiptare ndodhet në Berlin, i pranishëm në Samitin e Procesit të Berlinit, ku 6 vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan 3 marrëveshje të rëndësishme që kanë të bëjnë me  lëvizjen e lirë me karta identiteti të personave ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, njohjen e diplomave universitare në Ballkanin Perëndimor dhe njohjen e kualifikimeve për tre profesione: mjekët, dentistët dhe arkitektët në kontekstin e marrëveshjes për tregtinë e lirinë në Europën Qendrore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme