“Qeveria e Kosovës zgjatim i mafias”, Balla: Do t’i kërkojmë PE-së, masa ligjore ndaj deputetit të së djathtës ekstreme, Nicolas Bay

Politikë | 4 vite më parë

Kretari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka dënuar deklaratat e eurodeputetit, Nicolas Bay, ndaj qeverisë së Kosovës, duke i komentuar ato si “cënim të rëndë të dinjitetit kombëtar të shqiptarëve”.

Balla, nëpërmjet një postimi në Facebook, thekson se këto deklarata përbëjnë një akt të rëndë, që nuk mund të kalohet kurrësesi në heshtje, nisur nga fakti se një anëtar i PE-së akuzon Qeverinë e Kosovës, si një “zgjatim të mafias shqiptare dhe të shtetit të islamizuar shqiptar”.

“Prej disa ditësh, gjatë një vizite në Kosovë, një anëtar i i Parlamentit Evropian, Nicolas Bay, përfaqësues i ekstremit të djathtë, ka bërë deklarata tepër të rënda fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve dhe besimeve tona fetare, duke cënuar rëndë dinjitetin kombëtar të shqiptarëve, si komb autokton në Kosovë. Është një akt i rëndë, që nuk mund të kalohet kurrësesi në heshtje, adresimi nga një anëtar i PE ndaj Qeverisë së Kosovës, si një “zgjatim i mafias shqiptare dhe i shtetit të islamizuar shqiptar”, shoqëruar me akuza haluçinante për spastrim fetar të minoritetit serb në Kosovë, të cilët janë të mirë-përfaqësuar në Parlamentin, Qeverinë dhe pushtetin vendor të Kosovës.”,- nënvizon Balla.

Kreu i grupit të PS bëri të ditur se do t’i kërkojmë zyrtarisht Parlamentit Evropian, që në respekt të rregulloreve të veta kundër rracizmit dhe anti-diskriminimit, t’i dënojnë urgjentisht këto deklarata, si dhe të marrë masa disiplinore e ligjore ndaj këtij anëtari të Parlamentit Evropian, si “nxitës i urrejtjes dhe diskriminimit etnik e fetar”.

“Kujtoj se Komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Evropian kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët kundër rracizmit dhe ksenofobisë, për “nevojën e parandalimit të të gjitha formave të diskriminimit”. Deklaratat e këtij anëtari të Parlamentit Evropian, janë rasti që Bashkimi Evropian të tregojë se rregullat zbatohen dhe respektohen njëlloj nga të gjithë. Vërejmë me shqetësim se rublat vazhdojnë të frymëzojnë dhe sponsorizojnë qëndrime të tilla ndaj shqiptarëve, njëlloj sikurse ka ndodhur edhe me Rezolutën 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (“APKiE”) për “hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport tërësisht të pavërtetë të deputetit, Dick Marty.”- mbyll postimin Balla.

/rtsh.al/

 

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme