Kriza e emigrantëve, “The Times”: Rama i kërkon Britanisë që të mos fajësojë shqiptarët punëtorë

Gazeta e njohur britanike “The Times”, ka pasqyruar komentet e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me retorikën kundër emigrantëve të artikuluar nga ministrja, Suella Braverman. Gazeta citon Ramën, i cili thekson se “Britania duhet ta trajtojë vendin e tij me “respekt”, nëse dëshiron të arrijë një marrëveshje ripranimi për emigrantët”.
“Edi Rama tha se është “çmenduri” të fajësosh emigrantët shqiptarë, si shkakun kryesor të krimit në Britani, si dhe për problemet kufitare. Ai sulmoi Braverman-in për gjuhën e përdorur këtë javë, kur ajo e përshkroi krizën e emigrantëve në Kanalin e Lamanshit, si një “pushtim”. Rama e akuzoi Braverman-in se po përdor “retorikë të lehtë”, për të fshehur dështimet e politikave. Rama shkruajti në Twitter: “Të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe të presësh rezultate të ndryshme është çmenduri (pyete Ajnshtajnin!)”- thuhet në shkrimin e gazetës britanike, “The Times”.
Në shkrimin që gazeta i kushton deklaratave të kryeministrit shqiptar, theksohet se Rama citoi shifra që dëshmojnë se 70% e 140, 000 shqiptarëve në MB, jetonin më parë në vende të pasura evropiane si Italia dhe Greqia, dhe nuk kishin udhëtuar direkt nga Shqipëria dhe se se 1200 prej tyre ishin biznesmenë dhe gra.
“Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se retorika e përdorur nga ministrat dhe zyrtarët në qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar, duke i përshkruar shqiptarët si kriminelë dhe gangster, kishin dëmtuar shanset për të arritur një marrëveshje më të ngushtë, lidhur me krimin dhe emigracionin midis dy vendeve.”- shkruan “The Times”.
Në vijim të komenteve të kreut të qeverisë shqiptare, gazeta citon më tej Ramën, i cili bëri të ditur se “Shqipëria ishte e gatshme të punonte më afër me Britaninë e Madhe, por faktet janë vendimtare dhe respekti është i ndërsjellë”.
Duke i’u referuar qëndrimeve të kryeministrit shqiptar, gazeta britanike thekson faktin se një deklaratë e tillë duket se i ka dhënë një goditje të fortë shpresave të kryeministrit të sapoemëruar, Rishi Sunak, në lidhje me dakordësimin dhe arritjen e një marrëveshjeje me Shqipërinë, që do të mundësonte deportimin e emigrantëve shqiptarë që kalojnë Kanalin me gomone, brenda disa ditëve pas mbërritjes.
“The Times” zbulon faktin se ministrat britanikë ishin të bindur se do të arrinin një akord për detajet e një marrëveshje, brenda javëve të ardhshme, për deportimin e emigrantëve shqiptarë, përpara se ata të apelonin kundër refuzimit të azilit. Sipas gazetës, Robert Jenrick, ministri i Imigracionit, do të udhëtonte drejt Shqipërisë brenda dy javëve të ardhshme, por duket se kjo nuk do të ndodhë pas deklaratave të fundit.
Gazeta e njohur britanike e mbyll shkrimin e saj me një postim të Ramës në Twitter në të cilin shkruhet se: “Shqipëria është një vend i NATO-s dhe po negocion anëtarësimin e saj në BE. Është një vend i sigurt origjine. Kur Gjermania pati një problem të ngjashëm, ajo shtrëngoi sistemet e veta. Britania e Madhe mund dhe duhet të bëjë të njëjtën gjë, duke mos artikuluar vetëm retorikë krimi, që përfundon duke dënuar të pafajshmit”. Thetimes
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




