Xhaçka vizitë pune në Ankara me ftesë të ministrit të jashtëm turk, Çavuşoğlu: Do të rritet bashkëpunimi ekonomik

Politikë | 4 vite më parë

Ekonomia dhe tregtia kanë qenë në qendër të një takimi mes ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me homologun e saj turk, Mevlüt Çavuşoğlu, gjatë një vizitë zyrtare në Ankara me ftesë të palës turke.

Nëpërmjet deklaratës së përbashkët për shtyp bëhet e ditur se Xhaçka ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe rolin e Turqisë në rajonin e Ballkanit, duke theksuar se “bashkëpunimi rajonal mbetet çelësi për përballimin me sukses të kërcënimeve ndaj sigurisë”.

“Sot diskutuam konkretisht mbi bashkëpunimin në fushat e ekonomisë dhe tregtisë. Vërejmë me kënaqësi se në vendin tonë ka një trend të vazhdueshëm, pozitiv dhe në rritje të investimeve turke. Aktualisht kemi arritur nivelin e 800 milionë dollarëve në vëllimin tregtar, që është shifër goxha domethënëse, por që e dimë se nuk pasqyron realisht potencialin që ekziston mes vendeve tona. Megjithatë, ne e shikojmë të ardhmen me optimizëm, të inkurajuar nga projektet të reja te investimeve, që tashmë janë duke u zhvilluar në sektorët e infrastrukturës dhe energjisë”, tha kryediplomatja shqiptare në deklaratën e përbashkët për shtyp.

Nga ana e tij, ministri Çavuşoğlu përshëndeti nisjen e negociatave Shqipëri-BE dhe vlerësoi përpjekjet e vendit tonë në bashkëpunimin rajonal.

Sipas tij, Turqia do të vazhdojë mbështetjen ndaj Shqipërisë për zhvillimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtëse të saj.

“Jemi të kënaqur që Shqipëria ka nisur negociatat e anëtarësimit me BE. Vendi juaj është anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së në një kohë të vështirë. Ne vlerësojmë përpjekjet e Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal dhe kemi mbështetur e do të vazhdojmë të jemi gjithmonë pranë Shqipërisë vëllazërore”, u shpreh Ministri Çavuşoğlu.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme