Bozdo: Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, më 12 nëntor i themi NDAL kësaj marrëzie

Politikë | 4 vite më parë

Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo në një deklaratë për media ka deklaruar se raporti i EUROSTAT ka nxjerrë zbuluar mashtrimin e Kryeministrit Rama me energjinë. Sipas Bozdos, energjia elektrike në vendin tonë është më e shtrenjta në rajon, Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon, me përjashtim të Malit të Zi.

“Çka vlen të theksohet fort është fakti se vendet e tjera të rajonit, pavarësisht se janë shumë më të ekspozuara se Shqipëria në tregun e energjisë, dhe pa burime të brendshme prodhuese, kanë çmime më të ulëta të energjisë. E dini pse? Sepse kanë aplikuar paketa ndihmëse për popullatën. Përjashtim këtu, sigurisht, bën Shqipëria e Hirziut, e cila nuk ndërmerr asnjë masë dhe nuk kujdeset për asnjë paketë të tillë. Por nuk mbaron këtu.  Statistikat e EUROSTAT nuk marrin parasysh rritjen me më shumë se 4‒fish të çmimit të energjisë elektrike për familjarët që tejkalojnë fashën 800 kwh në muaj.

Me këtë shtesë, Shqipëria do të mbetet vendi me energji më të shtrenjtë në rajon. Kjo është absurde duke ditur dy fakte:  se ne nuk kemi asnjë varësi nga gazi rus; se ne mund të plotësojmë 100% të nevojave tona nga energjia e rinovueshme, që e prodhojmë me burimet tona ujore, që Zoti na i ka dhuruar me bujari! Ndërsa Rama bërtet poshtë e lart, si i marri i fshatit, për “çmime të çmendura të energjisë, që nuk gjendet”, apo se “jemi në luftë dhe lufta do sakrifica”, fakti është se fatkeqësia nuk është lufta dhe as mungesa e energjisë, por ai vetë dhe qeveria e tij. Shumë vende, të cilat janë në pozitë shumë më të vështirë se Shqipëria, kanë qeveri të cilat mbrojnë me sukses konsumatorët nga çmimet e larta, sepse prioritet për to është mbrojtja e popullatës dhe ekonomisë kombëtare, dhe jo lënia e tyre në rënie të lirë”, tha Bozdo.

Ai paralajmëroi rritje të çmimit të energjisë, pasi qeveria siç thotë Bozdo, nuk do t’ia dijë për konsumatorin. Më tej, Bozdo duke u ndalur te Protesta Kombëtare e 12 nëntorit, u shpreh se qytetarët do i thonë Ndal rrezikut që i sjell Shqipërisë qeveria Rama.

“Çmimin e energjisë e kemi të lartë, dhe do ta kemi katërfish më të lartë, duke filluar që sot, jo sepse s`kemi mundësi, por sepse qeverisë nuk ia ndjen për konsumatorin, qytetarin, taksapaguesin. Do të vazhdojme refenin “Selanik e tatëpjetë, siç ka qenë dhe do të jetë”, sa kohë ndërmarrjet publike te sektorit, KESH, OSHEE dhe OST, janë kthyer në fole të mega kurrupsionit, në çerdhe të militantëve politikë, në konvaleshenca të patronazhistëve dhe hajdutëve të votave, që marrin rrogën, jo për të bërë punën, por për të vjedhur për xhepin e vet dhe të partisë, dhe me këta xhepa për të vrarë zgjedhjet e radhës. Gëzuar 1 nëntorin, ditën kur qeveria ta rrit çmimin e energjisë elektrike me katërfish.

Mos harro 12 nëntorin, kur protesta e madhe kombëtare na thërret për t’i thënë NDAL marrëzisë dhe rrezikut që i sjell Shqipërisë, personazhi që nuk ndreqet dhe që për pushtetin, çdo ditë, rrënon shtetin”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme