Buxheti për 2023/ Alibeaj: Gjykata Kushtetuese s’mund të lypë para te qeveria, situatë surreale

Politikë | 4 vite më parë

Buxheti për 2023 për Gjykatën Kushtetuese ka nxitur debate te Komisioni i Ligjeve. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj e cilësoi si surreale situatën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese e cila sipas tij, po lyp para. Sipas Alibeajt, institucionet e pavarura nuk mund të lypin para te qeveria, pasi siç theksoi ai, misioni i tyre është të kontrollojnë qeverinë.

“Çfarë të kërkojë një institucion i pavarur, qeveria do duhet t’ia plotësojë. Një nga është pavarësia financiare. Në Kushtetutë, thuhet: Gjykata Kushtetuese ka buxhet të veçantë të cilin e administron në mënyrë të pavarur. Situata që krijohet në Komision të Ligjeve, në parlament, në institucionet e pavarura dhe sidomos në Gjykatën Kushtetuese është surreale. Për faktin se jemi në një situatë kur vihet Gjykata Kushtetuese të lypë para. Dhe ç’bëjmë ne, futemi në një teatër absurd dhe japim lëmoshë për qiranë e makinave, për ndonjë rregullim te godina apo ndonjë kërkesë që nuk i bën nder institucionit, funksionit.

Vetëm në këtë rast nuk ka nevojë për ndryshime ligjore sepse po ju citoj ligjin e miratuar para 5-6 vitesh me reformë në drejtësi dhe thuhet se Gjykata Kushtetuese administron në mënyrë të pavarur buxhetin e saj, i cili hartohet prej saj dhe i paraqitet për miratim Kuvendit. Kjo është një shkelje e cila ndodh sistematikisht në këtë parlament. Institucionet e pavarura kurrsesi për shkak të misionit që kanë, nuk duhet të shkojnë dhe lypin lekë të qeveria sepse misioni i tyre është të kontrollojnë qeverinë. Vijnë drejtpërdrejtë në Parlament dhe ne duhet që  kërkesat e tyre t’i miratojmë. Ata nuk duhet t’i kërkojnë mëshirë qeverisë për mbështetje financiare.

Kjo pra ishte ajo që doja të thoja, të ngelet në dokumentacion dhe kush ka dëshirë edhe të mund të nxjerrë edhe leksionet e veta. Ndryshe do përsëritet e njëjta skemë. Ju trokisni, ata ju kthejnë mbrapsht. Për mëshirë ju japin disa lëmoshë dhe ku shkoi e gjithë pavarësia. Për këtë ja vlen për të luftuar”, tha Alibeaj.

Ndërsa deputetja Klotilda Bushka duke iu përgjigjur deklaratave të Alibeaj u shpreh se gjithçka funksionon në bazë të kuadrit ligjor. Sipas Bushkës edhe Kuvendi ndjek të njëjtin rregull.

“Zoti Alibeaj ka një kuadër ligjor. Edhe Kuvendi është organ i pavarur dhe ka autonomi financiare, por edhe Kuvendi ndjek të njëjtin rregull buxhetor për t’i kërkuar Ministrisë së Financave plotësimin e nevojave të veta. Ka rregulla dhe standarde si administrohet buxheti, si adresohen nevojat, siç e thatë dhe ju, kërkesat racionale. Ka një procedurë këtu e vite një praktikë gjyqësore dhe institucionale. Po nuk jeni dakord, ushtroni të drejtën e deputetit dhe jepni alternativa si kjo gjë mund të bëhet më mirë. Përfshi këtu dhe mënyrën si e bën Kuvendi buxhetin”, tha Bushka.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme