Marrëveshja PD-PL/ Berisha: Moment historik në zhvillimin politik! Meta: Do garantojmë demokracinë e munguar

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha dhe Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta e kanë konsideruar historike marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet vendore të 2023. Në fjalën e tij, kreu demokrat u shpreh se marrëveshja do të shënojë fillimin e fundit të regjimit të Edi Ramës dhe Erion Veliajt.
“Moment historik në zhvillimin politik të Shqipërisë. Moment që shënon marrëveshjen për betejën dhe fitoren e sigurt të opozitës në Tiranë dhe në Shqipëri. Moment që çel rrugën për tu dhënë qytetarëve të Tiranës, qytetarin e parë që ata meritojnë që pasqyron vlerat, shpirtin, virtytet dhe moralin e tyre dhe njëlloj për të gjitha qytetet e Shqipërisë. Për ti dhënë Tiranës dhe qytetarëve parlamentet e vërteta të qytetarëve, përfaqësuesit dinjitozë të qytetarëve, për ti dhënë Tiranës një Parlament të fuqishëm të kryesuar nga qytetarë dhe politikanë të sprovuar në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Tiranës”, tha Berisha.
Ndalur te referendumi, Berisha shprehu mbështetjen ndaj Metës, ndërsa shtoi se është demokracia direkte dhe mjeti kryesor për të rikthyer demokracinë në Shqipëri.
“Z. Meta e kam garantuar që PD do mbështesë fuqimisht nismën referendare. Sot referendumi dhe demokracia direkte është absolutisht dhe mbetet ndofta mjeti më kryesor për të shëruar, rikthyer demokracinë në Shqipëri e cila është në agoni të plotë.
Shpreh kënaqësinë për arritjen e kësaj marrëveshje dhe e konsideroj historike pasi do shënojë fillimin e fundit të regjimit të Edi Ramës dhe Erion Velisë”, tha Berisha.
Nga ana e tij, Meta theksoi se marrëveshja e bashkëpunimit me PD për zgjedhjet vendore të 2023 do i shërbejë demokracisë dhe llogaridhënies në vend. Marrëveshja të cilën Meta e cilësoi si historike, sipas tij do garantojë dhënien e fuqisë së munguar dhe marrë penjg nga qeveria, qytetarëve shqiptarë.
“Marrëveshje historike me bindje të plotë. Është marrëveshja më parimore që i shërben demokracisë, pluralizmit politik, llogaridhënies në vend. Është një marrëveshje që na angazhon fuqimisht si PD si forca opozitare në vend dhe Partinë e Lirisë në drejtim të garantimit të demokracisë direkte të qytetarëve shqiptarë. Referendumi, primaret, transparenca, llogaridhënia do bëjnë të mundur që të kemi një herë e përgjithmonë një sovran që i ka të gjitha mjetet për të mbajtur nën kontroll të gjithë ata që iu delegon pushtetin dhe abuzojnë me të.
Shpreh kënaqësinë më të madhe që angazhimi madhor kemi marrë mbrëmjen e 25 korrikut sot merr mbështetje të fortë politike nga PD sa i takon ushtrimit të së drejtës kushtetuese të referendumeve në nivel lokal dhe kombëtar. Kjo është një marrëveshje historike sepse do garantojë dhënien e fuqisë së munguar deri tani qytetarëve, pasi kjo fuqi iu është marrë peng nga kapja e shtetit nga qeveria aktuale”, tha Meta.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




