Samiti Parlamentar i Platformës për Krimenë, Nikolla: Partneriteti politik i bën aleancat ushtarake më efektive

Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka marrë pjesë në Samitin e Parë Parlamentar të Platformës Ndërkombëtare për Krimenë që u mbajt në Zagreb të Kroacisë. Në fjalën e saj Nikolla deklaroi se kohët e fundit ka një përqendrim të agresioneve ushtarake kundër integritetit dhe të sulmeve kibernetike kundër kombeve sovrane që përkthehen si sulm kundër demokracisë, qytetërimit dhe njerëzimit. Nikolla tha se partneriteti politik i bën aleancat ushtarake më efektive pasi mund të shërbejnë si një nxitje për partneritete politike të fuqishme dhe të qëndrueshme.
‘’Agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe sulmet kibernetike ndaj kombeve të lira nuk janë vetëm sulme ndaj sovranitetit. Ata kërcënojnë seriozisht demokracinë dhe qytetërimet në Evropë dhe në planet. Ndaj, mbështetja për Ukrainën dhe vendet që janë shënjestër e sulmeve kibernetike është një kontribut për demokracinë, vlerat dhe institucionet demokratike. Në Evropë, si dhe në rajone të tjera të botës, krijimi i aleancave ushtarake mbrojtëse nuk shoqërohet gjithmonë nga një partneritet politik efektiv. Partneriteti politik i bën aleancat ushtarake më efektive. Aleancat ushtarake mund të shërbejnë si një nxitje për partneritete politike të fuqishme dhe të qëndrueshme“, tha Nikolla.
Në Samit kanë marrë pjesë personalitete të rëndësishme si Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi, Presidentja e Bundestagut Gjerman Bärbel Bas etj.
Shqipëria, në cilësinë e anëtarit jo të përhershëm të Këshillit të Sigurisë, së bashku me Shtetet e Bashkuara, është bashkë hartuese për qëndrimet dhe veprimet për mbrojtjen e Ukrainës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




