Rama: Po punojmë për hapjen e një fakulteti infermierie dhe mjekësie në Fier

Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se po planifikohet hapja e një fakulteti mjekësie dhe infermierie në Fier.
Gjatë një takimi me të rinjtë në këtë qytet, Rama u kujdes të sqaronte se nuk bëhet fjalë për universitet, por për ngritjen e një dege të Universitetit të Tiranës, ndërsa fakulteti do të mund të “shfrytëzojë” spitalin memorial të Fierit.
Kryeministri nuk dha detaje se kur mund të realizohet ky projekt, por theksoi se ndërkohë po punohet, duke shtuar se hapja e një fakulteti të ri nuk është aq e thjeshtë.
“Nuk kemi folur për të hapur në Universitet në Fier, por fakultet, një degë për mjekësinë dhe infermierinë duke shfrytëzuar spitalin memorial dhe për këtë jemi duke punuar, por hapja e një fakulteti të ri nuk bëhet siç bëhej më parë ku i jepej studentëve iluzioni se po diplomoheshin dhe mbeteshin me një diplomë pa asnjë vlerë në dorë. Po punojmë për këtë dhe njëkohësisht po punojmë për të nxitur sa më shumë ndërkombëtarizimin e universiteteve. Na duhen Universitete të lidhur me botën, me programe të përbashkëta”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




