Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Muzhaqi thirrje të rinjve nga Fieri: Pa aplikuar nuk mund të fitoni

Nga takimi me të rinjtë në qytetin e Fierit, ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, tha se ka filluar tashmë Programi Kombëtar i Ekipeve Sportive në të gjithë Shqipërinë, për vajza dhe djem, si në basketboll dhe në volejboll.
“Sporti ju shërben që të jeni të shëndetshëm dhe të aktivizoheni më tepër, por ju ndihmon edhe të bëni shoqëri të reja dhe të krijoni disiplinë”, tha Muzhaqi drejtuar të rinjve.
Ajo tha se kryetarëve të bashkive në të gjithë qytetet i është dërguar një kërkesë për të identifikuar terrene sportive ku mund të investojmë më tepër për të ngritur ambiente sportive.
Ndër të tjera, ministrja Muzhaqi ka treguar edhe për programet që ka hartuar për të rritur aftësitë digjitale te fëmijët dhe të rinjtë në vend, siç është Programi i shumëpërfolur i Kodimit për fëmijët që në klasë të parë, por edhe ai për të rinjtë që duan të bëhen programues apo kodues.
Në fokus, ministrja përgjegjëse për rininë, ka sjellë në vëmendje një nga iniciativat e fundit që iu vjen në funksion të sapo diplomuarve, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, në të cilën kanë aplikuar vetëm 1100 të rinj nga 1700 vende të lira që ofronin institucionet e ndryshme. Kjo, sipas Muzhaqit, vjen nga mungesa e dëshirës dhe interesit të të rinjve, për të aplikuar në mundësitë e ndryshme që ofrohen për ta.
“Pa aplikuar nuk mund të fitosh”, përcolli si mesazh ministrja ndaj të rinjve, duke i nxitur akoma më tepër të bëhen pjesë e programeve të Qeverisë Shqiptare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




