Inceneratori i Elbasanit, Rama: Një nga punët më të mira të bëra! Korrupsionin dhe vjedhjet i heton prokuroria

Politikë | 4 vite më parë

“Një nga punët me të mira të bëra”, kështu e ka konsideruar kryeministri Edi Rama inceneratorin e Elbasanit. Në një takim me qytetarët, Rama tha se falë këtij inceneratori, Elbasani ka marrë një tjetër pamje, pasi tashmë mbetjet përpunohen në një impiant që e konsideroi si “ultra modern”.

“Në Elbasan hoqëm pirgun e plehrave dhe i dhamë Elbasanit mundësinë që mbetjet t’i mbledhë dhe përpunojë në një impiant ultra modern. Jo vetëm që nuk ndjehem në asnjë mënyrë që të kem bërë një punë të keqe, por mendoj se është një nga punët më të mira të bëra për Elbasanin edhe për faktin që impianti do prodhojë energji dhe do kompensojë lehtësisht një pjesë të shpenzimeve të bashkisë për mjedisin”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, për herë të parë, do të krijohet një kompani publike e përbashkët e të gjitha bashkive të qarkut, për mbledhjen e të gjitha mbetjeve dhe depozitimin e tyre në një pikë. Akuzave për korrupsion dhe vjedhje, Rama iu përgjigj duke thënë se në lidhje me këtë çështje është prokuroria ajo që heton dhe gjykata që vendos dhe se ata që kanë shfrytëzuar rastin, duhet të shkojnë në burg.

“Do krijohet një kompani publike e përbashkët e të gjitha bashkive të qarkut për t’i mbledhur të gjitha mbetjet dhe për t’i depozituar në një pikë që i ka të gjitha kushtet. Pjesa që ka të bëjë me korrupsion me vjedhje, heton prokuroria dhe ndëshkon gjykata. Kush ka shfrytëzuar rastin për atë punë tjetër jashtë rrugës së Zotit, të shkojë aty ku e kanë vendin ata”, u shpreh kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme